SHBA: 800 miliardë dollarë për ekonominë

Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara do të injektojë edhe 800 miliardë dollarë shtesë në ekonominë amerikane në një përpjekje për të ndihmuar në stabilizimin e sistemit financiar të vendit. Sekretari i Thesarit Henri Polson deklaroi se paketa e ndihmës ka si qëllim shtimin e huave për konsumatorët. "Do të duhet një kohë e gjatë për të punuar në eleminimin e vështirësive në tregjet dhe ekonominë tonë. Sfida reja do të dalin në pah", është shprehur Polson. Rreth 600 miliardë dollarë do të përdoren për të blerë kreditë e sigurimeve, ndërsa 200 miliardë për të ndihmuar tregun kreditor të konsumatorëve. Ka shpresa që ky vendim i administratës amerikane do të zvogëlojë koston dhe do ta bëjë të mundshëm marrjen e kredive nga ana e konsumatorëve, që do të duhet t'u japë një shtysë tregjeve financiare. Përpara këtij vendimi, Departamenti amerikan i Tregtisë, zbuloi se produkti bruto vendas kishte rënë me gjysëm përqindi nga muaji korrik deri në shtator. Kjo shifër është më e madhe se sa parashikohej. Kjo është rënja më e thellë e GDP-së që prej vitit 2001. Sipas ekspertëve, ekonomia amerikane pritet që të tkurret edhe më tej deri në fillim të vitit 2009.