SHBA: Anëtarët e KQZ-së janë apolitikë, duhet transparencë procedurale
Tiranë- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar nëpërmjet një deklarate mbi situatën e krijuar pas lirimit të anëtarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Në deklaratën e SHBA-ve thuhet: “Për sa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor konsiderohen se janë apolitikë. Me tu emëruar, anëtarët e KQZ-së janë betuar, dhe janë të detyruar, që të kryejnë detyrat e tyre për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri. Duke pasur parasysh një kontekst të tillë si dhe për hir të qartësisë morale ne nxisim të gjitha aktorët politikë që të riafirmojnë përkushtimin e tyre të shpallur ndaj integritetit dhe transparencës procedurale kur shqyrtojnë çfarëdo veprimi të mundshëm lidhur me përbërjen e KQZ-së”,- shprehet Ambasada e SHBA-ve në Tiranë.
Sipas saj, “Ne mirëpresim vendimin e sotëm për të shtyrë votimin e kuvendit mbi anëtarësinë në KQZ, dhe nxisim partitë politike që ta përdorin këtë kohë për diskutime konstruktive dhe konsultime të gjera. Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë thirrje në mënyrë konseguente dhe të përsëritur të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri atyre në qeveri dhe atyre në opozitë që të veprojnë në mënyra të tilla që rrisin besimin e publikut në ndershmërinë dhe integritetin themelor të procesit zgjedhor. Të tilla veprime do të përmirësonin perspektivën që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga të gjitha palët dhe nga publiku, në të mirë të demokracisë dhe integrimit më të thellë të Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike të kombeve”.