SHBA, Arvizu: Debat televiziv Rama-Basha
“Zgjedhjet është e rëndësishme të jenë transparente dhe është shumë e rëndësishme që edhe njerëzit, votuesit të kenë mundësi të zgjedhin”
Pak javë përpara nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Aleksandër Arvizu sugjeron debat televiziv mes kandidatëve për Bashkinë e Tiranës. Mesazhi i kryediplomatit amerikan është dhënë gjatë një takimi që zhvilloi dje në qytetin verior të Kukësit. Arvizu vlerësoi si zhvillim shumë pozitiv regjistrimin e socialistëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për procesin e 8 majit, si dhe ka dhënë mesazhe edhe për nevojën e një debati publik në televizion. “SHBA-të vërtet mendojnë se zgjedhjet e 8 Majit duhet të organizohen dhe të bëhen në këtë vend. Sigurisht është e rëndësishme të jenë transparente dhe është shumë e rëndësishme që edhe njerëzit, votuesit të kenë mundësi të zgjedhin”, u shpreh Arvizu. Në vlerësimin e tij, gjithsesi kemi të bëjmë me zgjedhje lokale dhe se njerëzit duhet të njohin njëri-tjetrin dhe të dinë se për kë do të votojnë. “Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të dyja palët të punojnë ngushtë me KQZ-në, për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje që mund të dalë. Në zgjedhjet e 8 majit jam i sigurt se do të ketë mosmarrëveshje nga njerëzit e të dyja palëve. Prandaj duhet të ketë një mekanizëm që të dyja palët të bien dakord, për të zgjidhur mosmarrëveshjet pa ndodhur ato”, theksoi Arvizu. Kjo, shtoi ai, nuk mund të ndodhë më 9 maj, pasi është shumë vonë dhe kjo do të ishte një recetë për të falimentuar. Arvizu gjeti rastin të marrë një shembull konkret nga Tirana, duke thënë se “e di që kandidatët ende nuk janë zgjedhur, por le ta zëmë që kandidatët janë Basha dhe Rama. Unë mendoj që ata duhet të jenë të përgatitur për të folur për çështjet dhe për problemet. Unë vizitova zyrat e dy televizoneve dhe pata rastet që të takoja drejtuesit e disa emisioneve”. Unë do mendoja që secili prej tyre t’u sugjeronte kandidatëve të bënin debat në televizionet e tyre, tha Arvizu duke shtuar se kjo bëhet shpesh në Amerikë, kur ka zgjedhje apo debate nga të gjitha llojet. “Ndonjëherë ka moderatorë apo edhe audiencë që bën pyetje. Ka metoda të ndryshme për të bërë debate. Megjithatë kjo është ideja ime”, këmbënguli Arvizu. Duke komentuar situatën politike, ambasadori u shpreh se shumë nga diplomatët e huaj në Tiranë janë të zhgënjyer për faktin se dy partitë nuk kanë pasur asnjë dialog që nga zgjedhjet e vitit 2009. “Mendoj se opinioni i njerëzve për 2009-ën është se kishte probleme teknike, por në mënyrë të përgjithshme këto zgjedhje ishin të mira. Por ka pasur probleme, kishte disa çështje të cilat kishin mundësi të diskutoheshin pak më vonë dhe kjo kohë ka kaluar. Unë mendoj se ende ka kohë për t’u ulur dhe për të diskutuar këto çështje, sigurisht keni mbështetjen e SHBA–së dhe komunitetit europian. Ne jemi të gatshëm për të diskutuar. Por dua të theksoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kushtetuta të respektohet! Para disa ditësh, Presidenti tha se do të ketë zgjedhje në maj siç është e parashikuar në Kushtetutë”, nënvizoi Arvizu. Nuk mund të themi se ne nuk mund të bëjmë zgjedhje, vijoi ai, duke risjellë në vëmendje faktin se në vitet e komunizmit kishte zgjedhje fiktive dhe kjo ka ndodhur në të kaluarën dhe nuk mund të përsëritet më. Arvizu është pyetur gjatë kësaj vizite në Kukës edhe në lidhje me debatin mbi regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, mbi baza etnike dhe kombësie, ndërsa konstatoi se “më duhet të them se jam në dijeni të kësaj çështje, por nuk jam në gjendje të të jap një përgjigje inteligjente”. Ilda Tota