Berisha: Motoja për Tiranën: “Do it Green”
TIRANË--Me sloganin “Do it Green”, Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar dje një fushatë për një Tiranë të gjelbër, edhe pse i pyetur nga përfaqësuesit e medias, ai theksoi se programi do të shpallet nga kryetari i Bashkisë, duke nënkuptuar fitoren e sigurt të kandidatit demokrat për kryeqytetin, Lulëzim Basha. “Ishte një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm i organizatave shqiptare dhe europiane për mjedisin, nën moton “Do it Green”. Kjo është një moto e shkëlqyer, me të cilën interesat e qytetarëve, interesat e fëmijëve, të moshuarve, familjeve, komuniteteve, marrin përgjigjen më të mirë. Asgjë nuk është e lidhur më shumë me jetën sesa mjedisi, asgjë nuk është e lidhur me mjedisin më shumë sesa gjelbërimi dhe e gjelbërta”, - tha dje Berisha, pas përfundimit të Kongresit Mjedisor me sloganin “Do it Green”. Berisha theksoi se gjelbërimi do të jetë një nga motot kryesore të fushatës elektorale. “Këto zgjedhje për mazhorancën janë dhe do të jenë zgjedhjet për interesat më jetike të qytetarëve shqiptarë, të fëmijëve të tyre, familjeve të tyre, të komunitetit të tyre, pra do të jenë zgjedhje në të cilat ne do të përqendrohemi tërësisht në problemin e qytetit, të fshatit, të bllokut, të lagjes, të familjes”, - tha Berisha. Duke iu referuar kryeqytetit, Berisha tha se, Tirana përbën problemin më madhor mjedisor të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, edhe pse kishte paralajmëruar se emrat për kandidatë për kryetarë bashkie dhe komune do të ishin gati brenda 10-ditëshit të parë të marsit, Berisha tha dje se ende po punohet. “Shumë shpejt do t’i mësoni dhe ju garantoj që strukturat e Partisë Demokratike, së bashku me qytetarët, po bëjnë përzgjedhjet më të shkëlqyera për qytetarët e tyre të parë. Kështu që forumet do të mblidhen për të bekuar atë ç’ka po propozojnë qytetarët, në strukturat e Partisë Demokratike në të katër anët e vendit”, - tha ai.