E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi i PS: 4 parimet dhe 11 kriteret për kandidatët e 8 majit

SHKRUAN: Fejzi Braushi 11-03-2011 12:09

Të gjithë ata individë që në zgjedhjet e shkuara vendore kandiduan për Partinë Socialiste dhe nuk mundën të shpallen fitues nuk do të lejohen që të rikandidojnë në 8 Maj. Kryesia e Partisë Socialiste ka miratuar dje një udhëzim të posaçëm për përzgjedhjen e kandidatëve për në zgjedhjet për pushtetin vendor, ku ndërmjet të tjerave përcaktohen kriteret që duhet të plotësojë një individ që kërkon të garoj në siglën e PS-së, si dhe afatet kohore që do të ndiqen deri në zyrtarizimin e listave përfundimtare nga kryesia. Udhëzimi pritet ti kalojë për miratim sot edhe Asamblesë Kombëtare që do t’i nisë punimet në orën 11:00.

Kriteret

Megjithëse përzgjedhja e kandidatëve në shumë njësi vendore është përfunduar, Partia Socialiste ka vendosur së fundi që ta fus këtë proces në kanale statutore. Me anë të një udhëzimi të veçantë prej dy faqesh, të hartuar nga sekretari organizativ dhe ai për çështjet elektorale, selia rozë ka përcaktuar me terma të qarta kriteret që duhet të plotësojë çdo emër i lakuar deri më tani si kandidatë për kandidatë. Megjithëse shumica e kritereve janë të marra dhe nga përcaktimet që bën Statuti i partisë dhe që kanë të bëjnë kryesisht me formimin arsimor, moralin etje, në listë janë shtuar dhe disa pika të veçanta të cilat bëjnë të pamundur garën për kategori të caktuara. Dhe një nga grupimet që rrezikon janë padyshim ata persona që garuan në zgjedhjet e shkuara vendore dhe humbën përballë kandidatëve kundërshtarë. Megjithatë për këtë rast në udhëzim është vendosur që në rastet kur kryesia e PS-së vlerëson që të miratojë një kandidat humbës në 2007, atëherë ai mund të rikandidojë. Gjithashtu një kriter tjetër ka të bëjë me krerët e PS-së së rretheve, të cilëve u është bërë e ditur që më parë që nuk mund të garojnë për zgjedhjet e pushtetit vendor. Gjatë diskutimit të këtij udhëzimi në kryesinë e PS-së gjatë ditës së djeshme janë shtuar edhe disa kritere shtesë, ku bie në sy ai që përjashton nga kandidimi ata persona që janë në konflikt interesi, siç mund të jenë biznesmenët ndërtues, të cilët mund të përdorin asetet publike për përfitime private.

Afatet

Gjithashtu pjesë e këtij udhëzimi është dhe përcaktimi i afateve brenda së cilit duhet të përfundojnë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve. I gjithë procesi është ndarë në tre faza, të cilat duhet të finalizohen brenda datës 26 mars. Më konkretisht kandidaturat e seleksionura deri më tani nga propozimet e ardhura nga baza do të diskutohen në asambletë e bashkive dhe komunave përkatëse gjatë periudhës 12-19 mars. Qëllimi i këtyre takimeve është që në ato njësi ku ka më shumë se një kandidat të mund të sheshohen edhe një herë në mënyrë që të dilet me kandidatë konsensual ose në rastin më të keq minimumi me tre emra. Gjatë mbledhjeve të asambleve do të diskutohet dhe lista e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë dhe komunal. Më pas kandidaturat e dala nga mbledhjet e asambleve do të diskutohen edhe në Këshillin Socialistë të Qarkut (në Këshillin Socialistë të Qarkut bëjnë pjesë deputetët dhe krerët e PS-së së Rretheve që e përbëjnë atë qark), proces që do të zgjas nga data 20 deri në 25 mars. Brenda datës 26 mars kandidaturat duhet të kalojnë për miratim në Kryesinë e PSSH-së në mënyrë që lista përfundimtare të jetë gati para datës 29 mars që përbënë dhe afatin e fundit për regjistrimin e kandidatëve për krerë të njësive vendore.

Udhëzimi i PS-së

Përzgjedhja e kandidaturave për kryetar komune, bashkie për zgjedhjet vendore 8 maj

Parimet kryesore mbi të cilat do të mbështetet procedura do të jenë:

1. Respektimi i kërkesave dhe normave statutore të partisë

2. Kandidati duhet të jetë nga anëtarësia e PSSH ose përkrahës i saj

3. Kandidatët duhet të përzgjidhen sipas rezultateve të nxjerra nga strukturat e PSSH dhe testimeve të bëra në anëtarësinë e partisë dhe në publik

4. Kryetarët aktualë të bashkive dhe komunave konsiderohen pjesë e kandidaturave të propozuara dhe nuk i nënshtrohen shqyrtimit në rang qarku

Kritere

Kandidatët duhet:

1. Të plotësojnë kërkesat të përcaktuara në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor

2. Të ketë kontribut dhe angazhim politik dhe njohuri për programin e politikat e PSSH-së, në rang kombëtar dhe vendor

3. Të kenë arsim të lartë

4. Të tregojnë aftësi të spikatura profesionale dhe menaxhuese

5. Të gëzojnë reputacion dhe të kenë mbështetjen e zgjedhësve në komunitet

6. Të jenë aktivë dhe të angazhuar në ndjekje për zgjedhjet vendore dhe elektorale

7. Të kenë njohuri mbi organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, aftësi drejtuese, organizative të punës në ekip, të kenë eksperiencë në drejtimin e burimeve njerëzore dhe materiale

8. Të kenë integritet moral dhe përkrahje civile

9. Kandidatët që kanë pasur rezultate humbëse në zgjedhjet e mëparshme nuk përfshihen në listën e kandidaturave për kryetarë të bashkive dhe komunave që i paraqiten për miratim kryesisë, me përjashtim të rasteve kur kryesia gjykon ndryshe

10. Në përzgjedhjen e kandidatëve duhet të respektohet parimi i barazisë, shanseve të barabarta

11. Përfaqësim i të gjitha kategorive sociale.

Afatet

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar komunash dhe bashkish do të kalojë në tre faza:

a) Kandidaturat e përftuara deri më tani, nga propozimet e ardhura nga baza, do të diskutohen në asambletë e bashkive dhe komunave përkatëse, gjatë periudhës 12-19 mars. Qëllimi i këtyre takimeve është që në ato njësi, ku ka më shumë se një kandidat të mund të sheshohen edhe një herë në mënyrë që të dilet me kandidatë konsensual, ose në rastin më të keq minimumi me tre emra. Gjatë mbledhjeve të asambleve, do të diskutohen dhe lista e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë dhe komunal.

b) Kandidaturat e dala nga mbledhjet e asambleve do të diskutohen edhe në Këshillin Socialist të Qarkut (në Këshillin Socialistë të Qarkut bëjnë pjesë deputetët dhe krerët e PS-së së Rretheve që e përbëjnë atë qark). Diskutimi në këto këshilla do të zgjasë nga data 20 deri në 25 mars.

c) Brenda datës 26 mars, kandidaturat duhet të kalojnë për miratim në Kryesinë e PSSH-së.

Kryesia e PS vendos për aleancat me partitë e tjera të koalicionit në rang kombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›