E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Berisha takime Kryeministra e Presidentë

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha, gjatë qëndrimit në New York, ku po merr pjesë në punimet e sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u takua me Kryeministrin e Bhutan, Jigme Yoser Thinley.
Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se në takim u rikonfirmua vullneti i të dy palëve për t’i zhvilluar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjelltë, në dobi të së mirës së dy popujve dhe vendeve.
Të dy kryeministrat u shprehën se "është e nevojshme vendosja e një kuadri ligjor për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve".
Kryeministri Berisha i kërkoi Kryeministrit Jigme Yoser Thinley që Bhutani të marrë në konsideratë shqyrtimin e dosjes së Kosovës, duke theksuar se njohja e pavarësisë së shtetit më të ri të Europës do t’i shërbejë konsolidimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në takim u theksua se njohja e pavarësisë së Kosovës është e drejtë legjitime e popullit të saj, i cili, si asnjë popull tjetër, përjetoi fushatën më të egër të spastrimit etnik nga regjimi milloshevician e tashmë po ndërton lirinë, demokracinë dhe të ardhmen e tij europiane dhe është shndërruar në faktor stabiliteti, miqësie e bashkëpunimi në rajon.

Berisha takohet me presidentin e sllovenisë, Turk
Kryeministri Berisha u takua dje në New York, me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk, ku diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.
Në një njoftim për shtyp të kryeministrisë thuhet se "gjatë këtij takimi u konfirmua vullneti i palëkundur i Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për të ecur përpara me shpejtësi me projektin madhor kombëtar të anëtarësimit në BE, por edhe mbështetja e palëkundur e vendit dhe popullit mik slloven ndaj Shqipërisë për hapat e mëtejshme drejt këtij anëtarësimi".
Në takim u ripohua gjithashtu vullneti i të dy vendeve për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në veçanti atë ekonomike, shprehje e të cilit është edhe suksesi i kompanive sllovene, që janë në mënyrë aktive prezente në tregun shqiptar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›