Fituesit e "Giffonit", masterklase në Itali
TIRANE- Edicioni i shtatë i "Giffoni Shqipëria" do të organizohet nga 7-12 nëntor 2011. Organizatorët hapin konkursin për realizimin e tre filmave me metrazh të shkurtër gjatë ditëve të festivalit, ndërkohë që fituesit do të bëjnë edhe masterklasë në Itali. Claudio Gubitosi, themeluesi "Giffoni Film Festival" në ndalesën e radhës në Tiranë, erdhi me lajme të reja. Së bashku me Namik Ajazin, drejtorin e "Giffoni Shqipëria", njoftoi jo vetëm organizimin e edicionit të shtatë të këtij festivali, por shpalli edhe një konkurs për regjisorët e rinj. Tre filma me metrazh të shkurtër, një vështrim mbi çdo aspekt të jetës shqiptare do të realizohen gjatë ditëve të festivalit që do të mbahet nga 7-12 nëntor të këtij viti. Realizim, montim dhe shfaqje në natën finale të "Giffon"-it. "Ne menduam t'i japim një dimension të ri këtij edicioni. Ishte ideja e Claudio Gubitosit që krahas festivalit të hapim një konkurs që do t'u mundësojë regjisorëve të rinj paraqitjen e projekteve për një film të shkurtër. Tre fituesit do të marrin pjesë në një masterklasë që do të zhvillohet në Itali në korrikun e vitit të ardhshëm që shënon edicionin e 42-të të 'Giffoni Film Festival'", - u shpreh Namik Ajazi. Ndërkohë, Gubitosi sqaroi se këta të rinj do të mund të përfitojnë një eksperiencë, të cilën mund ta përdorin në vendin e tyre. Referuar përvojës personale, Gubitosi (i cili e viziton prej 26 vitesh Shqipërinë) theksoi se është e mundur që kultura apo një event kulturor i caktuar të bëhet promotor edhe i promovimit e zhvillimit ekonomik të qytetit a vendit. Dyzet vjet më parë, Gubitosi themeloi në qytetin e vogël italian Giffoni Valle Piana festivalin e vetëm për të rinj, sot me degë në shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë. "Falë bashkëpunimit me Namik Ajazin dhe pas kaq shumë vitesh që vij rregullisht në Shqipëri, mua më intereson të krijoj këtu një grup pune me të rinj që dalin nga Akademia e Arteve, të cilët duhet të mësojnë ta shohin kulturën si mundësi punësimi dhe si një potencial për zhvillimin ekonomik të vendit ku jetojnë. Pikërisht për këtë arsye në nëntor, gjatë ditëve të festivalit do të mbaj një workshop me ta. 'Giffoni film festival' e ka treguar këtë. Vetëm në 10 vjet, komuna ime me 11 mijë banorë, aty ku 40 vjet më parë ngrita këtë festival, ka përfituar rreth 100 milionë euro financime. Në këtë rast, jehona që i ka dhënë kësaj komune festivali, ka sjellë edhe një zhvillim ekonomik. Këtë iniciativë do ta nisim me realizimin e tre filmave të shkurtër. Së shpejti në sitin tonë do të lancojmë konkursin për Shqipërinë: Shkruaj, mendo, ëndërro, imagjino një film në Tiranë. Si e sheh qytetin, raportin me familjen, institucionet etj. Këto tre filma do t'i prezantojmë në ceremoninë e mbylljes së festivalit në Tiranë dhe do t'i çojmë nëpër botë si një produkt i "Giffoni Shqipëria"", ka theksuar Gubitosi. Ndërkohë, edicioni i shtatë i "Giffoni Shqipëria" do të mbahet në Shkodër, Durrës, Tiranë, duke sjellë realizimet më të mira për të rinj nga e gjithë bota.
(s.g/GSH/balkanWeb)
(s.g/GSH/balkanWeb)