SHBA: Gati sanksionet për Iranin
Vetëm një ditë pas hartimit të marrëveshjes mes Teheranit, Brazilias dhe Ankarasë për pasurimin e uraniumit në Turqi, në këmbim të kallëpeve të uraniumit të pasuruara mesatarisht, që do të përdoren në Teheran për çështje civile, si për kërkime shkencore, si në rastin e prodhimit të izotopeve për kurimin e kancerit, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilary Clinton, ka deklaruar për ekzistencën e një marrëveshjeje me Kinën dhe Rusinë për sanksione ndaj Iranit. “kemi punuar shumë me partnerët e grupit 5+1 dhe jam e lumtur të them se kemi arritur një marrëveshje për një projekt të fortë me bashkëpunimin e Rusisë dhe Kinës”, tha Clinton dhe saktësoi se sanksionet do t’u dërgoheshin shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Në OKB, ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Mark Lyall Grant, kishte konfirmuar për "progres brenda grupit të 5+1”, duke ju referuar vendeve me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina), që janë thirrur për të vlerësuar çështjen bërthamore iraniane. Marrëveshja e raportuar nga Irani kishte hasur kritika të menjëhershme nga SHBA dhe BE, që kishin thënë se kjo nuk do të evitonte aplikimin e sanksioneve të reja në Teheran. Dje Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, i bëri një apel nga Madridi komunitetit ndërkombëtar, që të mbështesë marrëveshjen e arritur mes Iranit, Turqisë dhe Brazilit. “I bëj apel komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë deklaratën finale në emër të paqes në botë. Dëshmuam se me diplomaci Irani mund të ulet në një tavolinë negocimi”, tha Erdogan, duke e ftuar Perëndimin të braktisë rrugën e sanksioneve. Sipas Kryeministrit turk, marrëveshja është shumë “e rëndësishme” për të zhbllokuar çështjen bërthamore iraniane.
#