Një zemër turke në tepsinë e botës
Prej ditësh në Tiranë po thuhet me nxitim se Orhan Pamuk ka shkruar me dashuri për shqiptarët, madje edhe gazetat, sidomos këtë fakt kanë theksuar në titujt e tyre. Zoti më faltë, shpatullat e mia nuk e mbajnë peshën për të thënë se çfarë është Pamuk për shqiptarët, aq më pak për botën. Por, shumë shkurt, po them se çfarë është për mua. Tashti pyes: a mos po gaboj? E pranoj, jam njeri që bëj gabime dhe, megjithëse më pas pendohem, përsëri gaboj. Veçse, zakonisht, jo dy herë njëlloj. Mjeshtër, e fillova tashmë dhe kërkoj ndjesë që ju përshëndes duke gabuar.
1. Unë do ta doja shkrimtarin Orhan Pamuk, edhe sikur të mos kishte shkruar asnjë rresht për popullin tim, edhe sikur vetë të ishte nga Afrika e Jugut dhe të kishte shprehur simpati për popullin e Namibisë. Por me një kusht: librat e tij të kishin po këtë nivel të lartë arti dhe të ishin po kaq të shëndetshëm për njerëzimin.
2. E dimë të gjithë se makina nuk ndalet në çastin që frenojmë. Sipas meje, as në çastin që mjeku pohon vdekjen e një njeriu, ai ende nuk ka vdekur, sepse edhe jeta ka inercinë e saj. çfarë sjellin ndër mend njerëzit në ato pak sekonda të fundit? Kjo varet nga secili. Ndoshta një shkrimtar kujton një listë, listën e shkurtër me librat më të bukur që ka lexuar. Po të ndodh diçka e tillë me mua, në listën time patjetër do të jetë romani “Unë jam e kuqja” i Orhan Pamuk.
3. Në moshë të pjekur shkrimtari është në gjendje t’i kontrollojë ambiciet e tij. Por kjo nuk do të thotë se kurrë nuk lajthit, domethënë, nuk e tepron nganjëherë. Kur lexoj libra të nobelistëve ka raste që flas me zë edhe them: Ky libër mund të shkruhet edhe nga autorë të tjerë. Për librin “Verbëria” të Saramagos, njërit prej dekanëve më të shquar të prozës bashkëkohore, kam guxuar të mendoj: Një roman të tillë e kam shkruar edhe unë me “Las Varrezas”. Kur kam lexuar “E kuqja” të Orhan Pamuk, jam tronditur dhe kam thënë: Jo, këtë libër madhështor nuk mund ta shkruaj dhe nuk mund ta shkruaj asnjë shkrimtar tjetër në botë, sepse është unikal.
4. Gjithnjë është folur për universalen në art, por kurrë më shumë se në epokën e globalizmit. Universalen e përfytyroj si ato rrathët që vijnë duke u hapur dhe e zgjerojnë sipërfaqen vazhdimisht. Le të themi se rrethi më i madh arrin perimetrin e globit, atë që e quajmë ekuador dhe mund ta shohim si një tepsi vigane. Atëherë çfarë është për mua romani “E kuqja”? është zemra turke në tepsinë e botës.
5. Po spostohem nga Stambolli në qytetin tim të lindjes, në Shkodër. Njëherë, një djalë i ri shkoi te një rrobaqepës plak dhe i kërkoi t’i qepte një jelek (xhamadan), por siç ia kishte qepur shokut të tij. Kur e veshi, pa se nuk ishte si i shokut të tij dhe e mallkoi terziun (rrobaqepësin). Në fakt, ky ishte një keqkuptim i madh. Mjeshtri artizan, ky artist i përvuajtur, plot fantazi dhe pasuri shpirtërore, nuk mund t’ia lejonte vetes që nga duart e tij të nxirrte dy jelekë njësoj. Ai nuk ishte rrobaqepës fabrike. Sot ne kërcënohemi pikërisht nga shkrimtarët fabrikantë dhe letërsia e fabrikuar. Unë i pëlqej pantallonat Levis, por më tmerrojnë librat e tipit Levis. Ja përse, veç të tjerave, e adhuroj krijimtarinë e Orhan Pamuk. Ai nuk shkruan dy libra njësoj, ai nuk punon me modele të gatshme dhe të përdoruara më parë, Orhan Pamuk jo vetëm nuk përsërit të tjerët, por bën luftën e hatashme për të mos përsëritur as veten.
6. Ndoshta është gjynah ta shpallësh të lumtur një shkrimtar dhe, pa u menduar gjatë, të thuash për atë: E çfarë don tjetër, tashmë i ka arritur të gjitha! Natyrisht, çmimi “Nobel” të jep lavdi të përbotshme, është gjithashtu edhe çmimi më i paguar, por... Por edhe gracka më mizore. është çasti kur shkrimtarit i duhet që, të paktën një herë në jetën e tij, të bëhet Uliks, Uliks që i mbyll veshët fort, në mënyrë që t’u shmanget thirrjeve të Sirenave dhe lundrimi të vazhdojë më tej... Bota prej disa kohësh po jeton në krizë, por dhe në kohë më të mira, kur botës i ka qeshur buza, ka pasur shkrimtarë që kanë jetuar krizën e vet. Midis tyre edhe disa nga më të famshmit, nobelistë pra. Unë shpreh kënaqësinë e thellë që, për shkak të energjisë së tij krijuese të pashtershme, Orhan Pamuk nuk është prekur nga kjo krizë aq e padëshirueshme, aq e dhimbshme dhe aq reale. Dhe nëse prapë nuk ndihet i qetë, ose i lumtur siç thonë disa, nëse prapë shpirti i tij zien, unë e duartrokas. E duartrokas, sepse kjo do të thotë se udhëtimi i tij vazhdon, vazhdon drejt asaj që kurrë nuk arrihet, Itakës iluzive të shkrimtarit, por dihet se, sa më shumë të ecësh përpara, aq më afër saj do të ndalosh.
7. Po, mjeshtër, një ditë do të ndalojmë... Por u bë mirë që u takuam në të gjallë. Nëse ndodh të shihemi edhe në botën tjetër, prapë mirë do të jetë. Veçse, për të qenë i sinqertë, për mua do të jetë një provë e vështirë. Kam frikë se as atëherë nuk do të jem penduar dhe jashtë zakonit tim do të detyrohem që të përsëris të njëjtin gabim, pra t’ju them të njëjtat fjalë që ju thashë sot.
#