E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema piramidale, të arrestuarit: Shisnim ide

Shkon në 420 numri i të mashtruarve. Bllokohen në Maqedoni 540 mijë euro. Në Shqipëri iu gjetën 120 mijë euro

Dy organizatorët kosovarë të një skeme piramidale, që u ka zhvatur shqiptarëve qindra mijëra euro, kanë mohuar akuzat para oficerëve të Policisë Gjyqësore, duke pohuar se aktiviteti i tyre në vendin tonë ka qenë “shitja e ideve”. Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli kanë pohuar para hetuesve se “kemi shitur ide për administrimin e biznesit dhe ngritjen e tij”, ndërsa kanë mohuar se kanë detyruar individë të paguanin në shoqërinë që kishin krijuar. Ata kanë shtuar se në Shqipëri organizonin takime periodike ku merrnin pjesë qindra biznesmenë, duke i ndihmuar këta të fundit që të administronin sa më mirë pasurinë. Megjithatë, njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës deklaroi se hetimet për këtë grup janë të plota dhe për të zbuluar këtë skemë piramidale janë përdorur të gjitha mjetet e hetimit, si përgjimi dhe vëzhgimi i të dyshuarve gjatë seminareve që zhvillonin në disa lokale të Tiranës. Grupi hetimor deklaron se në prokurori janë regjistruar edhe 20 kallëzime të reja, ku individë të ndryshëm deklarojnë se kanë paguar nga 2290 euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqatë apo shoqëri huamarrëse. Nga të dhënat që prokuroria ka fituar nga bashkëpunimi me bankat e nivelit të dytë ka rezultuar se ky grup kriminal kishte një llogari prej 540 mijë eurosh në shtetin maqedon. Dyshohet se transferta e të hollave është realizuar nga shteti shqiptar. Ndërkohë, prokuroria deklaron se dy kosovarët, të cilësuar si “truri” i kësaj skeme piramidale, kishin si llogari bankare në Shqipëri 120 mijë euro. Kjo shumë përdorej për të paguar personat që sillnin të tjerë persona për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri rentiere.

Prokuroria thotë se skema piramidale, e ngritur nga dy shtetasit kosovarë dhe nga një i tretë shqiptar i shpallur në kërkim, do të hetohet nga të paktën katër shtete. Drejtësia shqiptare ka finalizuar operacionin “Rruga pa sukses”, duke vënë në pranga Valon Kyçykun dhe Burim Haxhiollin, ndërsa Maqedonia dhe Kosova pritet të fillojnë hetimet pas bashkërendimit të informacioneve me njësinë Antikorrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme. Në shtetin e Qipros do të dërgohet një letër-porosi për të marrë informacione rreth kompanive të regjistruara në këtë vend. Krahas këtyre personave, policia dhe prokuroria po bashkëpunojnë për vënien para përgjegjësisë ligjore të disa personave të tjerë, të cilët dyshohet se organizonin këtë skemë mashtrimi në Shqipëri. Në kërkim është shpallur një i tretë, ndërsa mund të hetohen në gjendje të lirë edhe dhjetëra persona që kanë “mashtruar” shokët e kolegët, duke u premtuar të derdhnin 2290 euro për t’u pasuruar pa punuar. Organizatorët e këtij grupi kanë mashtruar rreth 420 qytetarë shqiptarë, duke i rekrutuar sipas një skeme mashtruese me pretekstin e trajnimeve në fushën e biznesit. Policia e Tiranës tha se Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli u kërkonin viktimave të mashtrimit të tyre të paguanin nga 2290 euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri, me premtimin se do të pasuroheshin vetëm nëpërmjet rekrutimit të tre qytetarëve të tjerë nga secili prej tyre. Këtë aktivitet të paligjshëm këta shtetas e kanë kryer në Shqipëri si përfaqësues të shoqërive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, me seli në Shkup, Maqedoni. Prokuroria urdhëroi arrestimin e Kyçykut dhe Haxhiollit para fillimit të një seminari të radhës në një nga lokalet e Tiranës. Agjentë të policisë i vëzhgonin prej disa muajsh të dyshuarit me të gjitha metodat speciale të hetimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›