SHBA: Hetime kriminale për derdhjen e naftës
Prokurori i përgjithshëm amerikan, Erik Holder, ka deklaruar se zyra e tij ka nisur hetime kriminale ndaj kompanisë British Petrolium për derdhjen masive të naftës në Gjirin e Meksikës. Holder tha se agjencitë federale, përfshirë FBI, do të përfshihen në këtë hetim, dhe "nëse do të vërehen sjellje apo veprime të jashtëligjshme, do të detyrohemi të përgjigjemi", ka sqaruar kryeprokurori Holder. Më herët, presidenti Barak Obama tha se planet e Shteteve të Bashkuara për shpime tjera në Gji do të pezullohen deri sa të bëhet hetimi i plotë i ngjarjeve, dhe i aksidentit që shkaktoi derdhjen e naftës. Madje Presidenti i SHBA-se Barack Obama ne një fjalim të mbajtur në Uashington është shprehur se po të ishte e nevojshme, përgjegjësit e njollës së zezë, do të dërgohen në gjyq. Nafta e derdhur në det, ka goditur ndërkaq edhe Misisipin. Guvernatori i Misisipit Hejli Barbur tha se nafta për të parën herë e ka goditur këtë shtet federal amerikan.
Barbur tha se një njollë e gjatë 3.2 km dhe një metër e gjerë është zbuluar pranë kufirit me Alabamën.