Samiti i Sarajevës, BE-Ballkan diskutojnë sot për vizat dhe integrimin
Në prag të Samitit të Sarajevës, i cili do të mbahet sot në Bosnje Hercegovinë, ku liderë të politikës së jashtme të Ballkanit do të diskutojnë së bashku për strategjinë integruese të rajonit, zyrtarë të lartë të BE ripërsëritën deklaratën se e ardhmja e Ballkanit është
në Bashkimin Evropian. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane të popujve mbetet një nga sfidat e fundit për të ndërtuar Evropën e bashkuar dhe demokratike, tha shefja për politikë të jashtme, Catherine Ashton në prag të samitit të Sarajevë. Ajo theksoi se në Sarajevë, BE do ta riafirmojë vendin e Ballkanit në Evropë dhe perspektivën evropiane për rajonin. Ndërsa komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule ka mirëpritur zotimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për vazhdimin e ritmit të reformave në fushat kyçe dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. Ndërkohë, më se 450 organizata joqeveritare nga Bosnjë Hercegovina, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, kërkojnë që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarësimi i tyre në BE, të jetë prioriteti më i lartë i Bashkimit Evropian. Kjo kërkesë, nëpërmjet të një letre të hapur, u është dërguar institucioneve të Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe qeverive të shteteve të rajonit. Përfaqësues të Organizatave joqeveritare u kanë thënë dje gazetarëve në Sarajevë, se nga BE kërkojnë ti definojnë qartazi kriteret dhe rregullat për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ata theksuan se kjo letër është dërguar me rastin e samitit BE-Ballkani Perëndimor.
BE emëron të dërguar për Ballkanin Perëndimor
BE pas samitit në Sarajevë, që fillon sot do të emërojë të dërguarin e veçantë për Ballkanin Perëndimor. Kandidatët më seriozë, siç shkruajnë mediat serbe, janë Paddy Ashdoun dhe Miroslav Lajçak, të dy ish-përfaqësues të lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare në BeH. I dërguari i ardhshëm për Ballkanin Perëndimor do të përfaqësohej në Këshillin e BE , duke u bërë pjesë e aparatit të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, e cila edhe do ta emërojë zyrtarisht. Ashdoun, i cili aktualisht nuk kryen asnjë funksion të lartë publik, dhe Lajçak, ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, edhe pas largimit nga posti i përfaqësuesve të lartë për BeH, janë interesuar për ngjarjet në Ballkan. Nevojën për emërimin e të dërguarit të veçantë për Ballkanin e ka shprehur edhe bashkëkombësi i tij, shefi i ri i diplomacisë britanike, Uilliam Hague, shkruajnë mediat serbe.
Në samit, 48 pjesëmarrës
Në listën përfundimtare të pjesëmarrësve në Samitin e Sarajevës ndodhen 48 pjesëmarrës. Është konfirmuar pjesëmarrja e 29 të ftuarve, kryesisht ministra të jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian dhe shefa të organizatave ndërkombëtare. Në Sarajevë shkon shefi i diplomacisë britanike Uilliam Hague, ndërsa ministri i Jashtëm francez Bernard Kouchner papritmas ka heqë dorë nga pjesëmarrja. Ministri gjerman Guido Uesteruelle më herët kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë. Por në samitin e Sarajevës marrin pjesë zyrtarët më të lartë të BE, Catherine Ashton dhe Stefan Fuele si dhe ministrat e jashtëm të Italisë, Franko Fratini, dhe ai spanjoll Anguel Moratinos. Në cilësinë e mysafarit do të jetë prezentë edhe zëvendëssekretari amerikan i Shtetit James Steinberg dhe ai Turqisë Ahmet Davutoglu. Siç thuhet Moska në një farë dore do ta injorojë samitin e Sarajevës. Përfaqësuesi i saj në cilësinë e mysafirit do jetë ambasadori rus në BeH.
Berisha dhe Meta, bashkë në Samitin e Sarajevës
Shqipëria në Samitin e Sarajevës, do të përfaqësohet nga kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Në përbërje të delegacionit shqiptar që shkon në këtë Samit për të marrë një shenjë pozitive për liberalizimin e vizave është edhe ambasadori shqiptar në Sarajevë, Flamur Gashi, drejtoresha e Drejtorisë së BE në Ministrinë e Jashtme, Ilda Zhulali si dhe shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm, Sokol Dervishaj. Samiti i Sarajevës ka si qëllim mbledhjen e të gjithë aktorëve të rajonit, shteteve të BE, por edhe të Ballkanit dhe më gjerë se kaq. Pak ditë më parë media kroate shkruante se në konferencën e radhës për Ballkanin, e programuar në 2 qershor në Sarajevë, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian nuk mund t'ju ofrojnë vendeve të rajonit asnjë premtim konkret për anëtarësimin e Ballkanit në BE. Nga ky Samit, qeveria shqiptare pret lajme të mira sa i takon fillimisht liberalizimit të vizave, ashtu siç e kanë deklaruar edhe më parë drejtuesit e qeverisë.
Eurodeputetët: Beogradi dhe Prishtina jo shembull i fqinjësisë së mirë
Eurodeputetët para zhvillimit të Samitit të Sarajevës, janë shprehur të pakënaqur me nivelin e bashkëpunimit të ndërsjellë rajonal, sidomos në rastin e Beogradit dhe Prishtinës, duke thënë se kjo nuk është shembull i mirë i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pa të cilat nuk mund të shqyrtohen seriozisht qasjet në integrimet evropian. Eurodeputetja gjermane Doris Pack ka shprehur shqetësimin e saj që çështja e Kosovës ende nuk është zgjidhur, ndërkohë që ende pritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, sipas saj, askush nuk e di cili do të jetë rezultati, sidomos çdo të ndodhë pastaj. "Përjashto faktin se Serbia aktualisht nuk e ka njohur Kosovën, gjë që mund ta kuptoj, ata mund të jenë fqinjë të mirë. Ndërkaq në Bashkimin Evropian kurrë nuk mund të hyjnë nëse nuk do të jenë fqinjë të mirë, të cilët si të tillë, do të gjejnë zgjidhje adekuate. Kjo do të duhej të ishte punë e qeverisë, posaçërisht e atij i cili vazhdimisht duke udhëtuar nëpër botë, flet në të gjitha anët se Kosova është Serbi, siç e bën këtë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë", thekson Doris Pack. Edhe eurodeputeti austriak Hannes Svoboda thotë se situata është shumë e ndjeshme dhe se ndihen tensione të llojeve të ndryshme. Por ai angazhohet për bisedime të reja. Mendoj se tani është më e rëndësishmja koka e ftohtë dhe të pritet vendimi i GJND dhe që sërish të nisin bisedimet që të gjendet një zgjidhje e kënaqshme e qëndrueshme afatagjatë, thekson anëtari i Parlamentit Evropian Hannes Svoboda. Parlamentarët evropianë paralajmërojnë se zgjidhja gjithmonë është përmes dialogut duke konsideruar se rrugëdalje tjetër nuk ka për situatën në të cilën aktualisht janë marrëdhëniet e dyja palëve. Deputeti slloven i Parlamentit Evropian dhe nënkryetari i delegacionit për marrëdhënie me Evropën Juglindore, Jelko Kacin, paralajmëroi vendet e Ballkanit Perëndimor që problemet aktuale të lidhura me dëmshpërblimin dhe privatizimin ndikojnë në procesin e anëtarësimit në BE. Ai tha se zgjidhja e problemit të dëmshpërblimit dhe tejkalimi në procesin e privatizimit do të kontribuojnë në sundimin e plotë të ligjit. BE ka hapësirë për zgjerim, theksoi Kacin dhe shtoi se BE nuk do të ndryshojë kriteret aktuale, dhe se vendet janë vetë përgjegjëse për dinamikën e procesit të anëtarësimit. Përfaqësuesi i Sllovenisë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, tha se me pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm të Turqisë, është vështirë të mendohet mungesa e ministrit të Serbisë ose e atij të Kosovës. Autonomia për minoritetin serb në veriun e Kosovës është një opsion që po bisedohet, ka deklaruar nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Parlamentin Evropian dhe njëherësh nënkryetar i Delegacionit të PE për Evropën juglindore, Hannes Svoboda.
Thaçi: Kosova e barabartë në Sarajevë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se si asnjëherë më parë Kosova paraqitet e barabartë me vendet tjera në një samit siç është ai i Sarajevës. Ai ka theksuar gjithashtu se në këtë takim, shteti i ri do të paraqes të arriturat e veta, siç është zhvillimi ekonomik e krijimi i kushteve të mira për komunitete. Po ashtu në këtë samit, Thaçi tha se do të tregohet gatishmëria për të krijuar raporte të mira me Serbinë. Këto komente ai i bëri në mbledhjen e Qeverisë në të cilën është miratuar propozim vendimi pë