E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Irakut: Mos lejo Iranin të dërgojë armë në Siri

Tre senatorë të Shteteve të Bashkuara i kanë tërhequr sot vërejtjen kryeministrit të Irakut, Nuri al-Maliki, që të mos lejoj që Irani të fluturoj mbi hapësirën ajrore të Irakut, për të dërguar armatim dhe pajisje në Siri.

Senatori Xhoe Liberman tha se dështimi i Irakut që t`i ndalë fluturimet, mund t`i përkeqësoj marrëdhëniet afatgjata të Bagdadit me Uashingtonin dhe mund ta rrezikoj ndihmën nga Shtetet e Bashkuara, sipas Paktit strategjik të vitit 2008.

Këto komente u bënë pasi e përditshmja Nju Jork Tajms raportoi se Irani i ka vazhduar dërgesat për regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad.

Një zëdhënës i qeverisë së Irakut tha se Irani ka premtuar se fluturimet për në Siri janë të karakterit humanitar dhe se i mbetet Uashingtonit për të provuar se në dërgesat iraniane ka armatim.

Xhoe Liberman tha se Uashingtoni nuk u beson pretendimeve të Iranit.

Senatori tjetër amerikan, Xhon MekKejn, tha se dërgimi i armatimit do të paraqiste shkelje të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në delegacionin e senatorëve amerikanë ishte edhe Lindzi Graham
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›