SHBA: Jemi të shqetësuar për miratimin e ligjit të dosjeve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen të shqetësuara për miratimin e ligjit të dosjeve dje në Kuvend. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Shon Mekormek, në një konferencë për shtyp u shpreh se këto shqetësime ia ka ngritur qeverisë shqiptare ndihmës sekretari i shtetit Daniel Frid. Zëdhënësi Shon Mekormek gjithashtu shtoi se proçesi i ndjekur për miratimin e ligjit të dosjeve ka dhënë arsye për shqetësime nga pala amerikane. Gjithashtu Mekormek shtoi se ky është një nga ato proçese që Shtetet e Bashkuara po e ndjekin nga afër. Është me rëndësi shtoi ai, që në çdo demokraci qeveria të udhëheqë në një mënyrë të tillë që të gjithë njerëzit të kenë mundësi të marrin pjesë në përcaktimin e të ardhmes së vendit. Shtetet e Bashkuara, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, e kanë të qartë se Shqipëria është duke u ballafaquar me historinë e saj, por ajo duhet të sigurojë që në këtë proces të mos i përjashtojë njerëzit nga jeta e përditëshme në vend.