SHBA: Kompania General Motors shpall sot falimentimin

Në Shtetet e Bashkuara, një gjykatës për ligjet e falimentimit miratoi dje shitjen e thuajse gjithë pasurisë së kompanisë amerikane për prodhimin e makinave Krajsllër Fiatit italian, vetëm disa orë para se kompania General Motors të shpallë sot falimentimin.
Ky hap bën që kompania e makinave Krajsllër të dalë së shpejti nga mbrojtja prej falimentimit.
Ndërkohë, lajmet në Shtetet e Bashkuara bëjnë të ditur se General Motors do të shpallë falimentimit para se të hapen tregjet e aksioneve në Nju Jork.
Këto njoftime, të cilat citojnë burime anonime, erdhën dje pas deklaratave të shumicës së investitorëve të kësaj kompanie se ata do të mbështesin një plan i cili u jep atyre pjesë në kompaninë e ristrukturuar nëse gjiganti i automobilëve shpall falimentimin.
General Motors dhe Presidenti Barak Obama do të mbajnë sot konferenca të veçanta shtypi për të folur mbi të ardhmen e kompanisë dhe përpjekjet e qeverisë për ta mbajtur atë më këmbë.
Zyrtarë të lartë të administratës thanë mbrëmë se shpresojnë që kompania të mund të riorganizohet brenda 60 deri 90 ditësh.
Sipas zyrtarëve, kompanisë së ristrukturuar do t'i duhet të shesë 10 milion makina në vit për të dalë pa humbje, nga 16 milion që i duhej të shiste më parë. (ze)