SHBA: Kosova shtet fragjil dhe i varur nga ndërkombëtarët

“Më shumë se 80 shtete, duke përfshirë 22 nga 27 anëtare e BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe në vitet në vijim Kosova do të mbetet shtet fragjil, i varur nga bashkësia ndërkombëtare për ndihmë ekonomike, të sigurisë dhe zhvillimit. Siç e pamë në vitin 2011, dhuna mund të shpërthejë pa ndonjë paralajmërim, sidomos në komunat e veriut. Ne konsiderojmë se forcat lokale nuk mund të marrin përgjegjësitë nga KFOR-i, siç janë siguria, kontrollimi i trazirave apo menaxhimi i kufijve, kjo jo derisa Beogradi dhe Prishtina të normalizojnë marrëdhëniet", vlerësoi Clapper, transmeton Indeksonline.
“FSK-ja është gati për të arritur kapacitetin e 2 500 pjesëtarëve të armatosur lehtë, por vazhdon të ketë sfida në rekrutim, financim dhe në trajnime. FSK-ja me siguri do të vendosë të transformohet në ushtri kur mandati i saj të rishikohet në qershor 2013. Ne besojmë se serbët e Kosovës dhe Beogradi do të vazhdojnë të kundërshtojnë përpjekjet e Prishtinës për të kontrolluar veriun, por në forma të ndryshme. Beogradi do të limitohet me retorikë të ashpër për të dënuar përpjekjet e Prishtinës, kurse serbët e Kosovës do të vazhdojnë me taktikat e njëjta, si bllokimi i rrugëve e protestat në rrugë, që mund të jenë rrezik për shpërthim dhune”, vlerësoi Clapper në raportin e tij vjetor, duke i paraqitur Senatit rreziqet potenciale në krejt botën.