Shpresat tek Kina

Kancelarja Merkel kërkon besimin e Kinës ndaj BE’së dhe stabilitetit të euros. Gjatë fjalimit të mbajtur në Akademinë e Shkencave Sociale, Merkel theksoi se me miratimin e paktit fiskal, në shtetet e caktuara të Eurozonës do të ketë më tepër disiplinë buxhetore.
“Nuk ka krizë të euros, por vetëm krizë që lidhet me borxhet e tepërta dhe me uljen e aftësisë konkurruese. Euroja e ka bërë Bashkimin Evropian më të fuqishëm”, ka nënvizuar mes tjerash kancelarja gjermane.
Gjatë vizitës në Kinë Merkel takohet me presidentin, Hu Jintao, dhe me kryeministrin, Wen Jiabao, nga të cilët, përveç mbështetjes për BE’në, pret edhe që të bëjnë presion mbi Iranin, lidhur me programin e tij bërthamor, si dhe ndaj regjimit sirian të Bashar –Al-Assad.
Kina edhe më herët është shprehur e interesuar për blerjen e aseteve në Evropë, ngase një e treta e rezervave kineze janë në euro.
Sipas analistëve, për shkak të fuqisë ekonomike të Gjermanisë dhe Kinës, liderët kinezë, Gjermania e kancelarja Merkel mbeten “shpresa fundit” për krizën evropiane.