E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Aneksimi i territoreve/ Stoltenberg: Aleatët e NATO-s të vendosin unanimisht për anëtarësimin e Ukrainës

“Vendimi për anëtarësimin e Ukrainës në NATO duhet të merret unanimisht nga të 30 anëtarët e Këshillit“. Kështu është shprehur shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, ndërsa aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia e përshkroi si përshkallëzimin më serioz të konfliktit që nga nisja e luftës.

Stoltenberg i bëri thirrje presidentit rus Putin që t’i japë fund luftës si përgjegjës për fillimin e saj.

“Putini ka mobilizuar qindra mijëra trupa, po lëshon kërcënime të papërgjegjshme bërthamore dhe tani po anekson ilegalisht më shumë territor ukrainas. E gjithë kjo së bashku përbën përshkallëzimin më serioz që nga fillimi i luftës. Nëse e lëmë Putinin të fitojë në Ukrainë, do të jetë katastrofike për Ukrainën dhe e rrezikshme për ne”, tha Stoltenberg.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi një ditë më parë se vendi i tij po dorëzon një kërkesë urgjente për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s .

Kërkesa e Zelensky erdhi menjëherë pasi presidenti rus nënshkroi traktatet e aneksimit të katër rajoneve ukrainase Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia , në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Shqipëria dhe SHBA paraqitën një rezolutë në OKB, e cila  dënonte referendumet  e zhvilluara në Ukrainë nga pushtesit rusë. Rezoluta u hodh poshtë pasi Rusia vendosi veton.

Përfaqësuesi i Moskës në OKB votoi kundër, ndërsa Kina abstenoi së bashku me Brazilin, Indinë dhe Gabonin. Rezoluta e paraqitur nga SHBA dhe Shqipëria mori 10 vota.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›