E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Obama sulmon kompanitë e sigurimeve shëndetësore

Presidenti i SHBA, Barack Obama ka sulmuar ashpër kompanitë e mëdha amerikane të sigurimeve shëndetësore. Obama i ka përkufizuar si të pandershme dhe mashtruese përpjekjet e tyre për të hedhur poshtë projektin e administratës së tij për reformën e re të shëndetësisisë. Gjithashtu gjatë fjalës së tij presidenti i SHBA deklaroi se do të kërkonte nga kongresi amerikan shfuqizimin e një ligji federal për të rishikuar atë. Ky ligj i mundëson kompanive të mëdha të sigurimeve të kenë disa lehtësira duke krijuar në këtë mënyrë monopol të përhershëm në tregun e sigurimeve.
Projekti i Obamës për miratimin e reformës së shëndetësisë mori një ndihmesë të madhe nga Komiteti Financiar i Senatit i cili e aprovoi shumën prej 2,5 triliardë dollarësh e cila do të përdoret për aplikimin e këtij projekti. Shumë ekspertë të shëndetësisë mendojnë se reforma e propozuar nga Obama do të arrijë ta kalojë hallkën e fundit, aprovimin nga Kongresi amerikan.
"Për herë të parë një projektligj mbi shëndetësinë ka arritur të votohet dhe aprovohet nga 5 komisionet e shëndetësisë së senatit. Tani gjithmonë e më shumë po i afrohemi zgjidhjes së një problemi madhor siç është reformimi i shëndetësisë."- pohoi Obama gjatë një emisioni radiofonik.
Bursa e sigurimeve shëndetësore njoftoi se këtë javë ka pasur rënie të ndjeshme të aksioneve të siguracionit pas aprovimit të projektligjit nga ana e Komitetit Financiar të Senatit amerikan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›