E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Paketa e stimujve miratohet në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve

Senati i Shteteve të Bashkuara
Senati i SHBA votoi mbrëmë vonë me 60 vota pro dhe 38 kundër, për paketën e stimujve ekonomikë me vlerën e 787 miliardë dollarëve, që synon të ndihmojë e ekonominë amerikane në krizë. 

Po dje pasdite, Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 246 vota pro dhe 183 kundër paketës. Projekligji, i cili përfshin shkurtimin e taksave dhe projekte për shpenzime brenda vendit,  nuk u miratua nga asnjë anëtar republikan i Dhomës së Përfaqësuesve. Presidenti Barak Obama do ta nënshkruajë atë në ligj.  

Shumica e republikanëve kanë vërejtje për paketën, duke thënë se ajo përfshin shumë shpenzime qeveritare dhe nuk përmban shkurtimet e nevojshme të taksave. Të tjerë thonë se nuk kanë patur kohë të mjaftueshme për ta lexuar të gjithë projektligjin voluminoz, prej 1 mijë faqesh. 

Demokratët thonë se projektligji përmban masa të menjëhershme dhe të nevojshme, për të cilat zoti Obama ka thënë se janë të nevojshme për rigjallërimin e ekonomisë amerikane dhe për krijimin e vendeve të punës. Varianti përfundimtar i projektligjit ishte një kompromis mes varianteve të miratuara më parë veçazi nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga Senati.//lk

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›