Edi Rama ndjehet i huaj në krye të PS-së, ndaj e ka uzurpuar atë me njerëz të bashkisë
Kreu i LSI-së ka folur dje për historinë e munguar të Edi Ramës në të majtë dhe ka kujtuar se kreu i socialistëve është ekstremist në politikë e se tani ai s’mund të harrojë se dikur ai nuk kishte lënë gjë pa thënë për socialistët.
TIRANE – Ilir Meta, kreu i LSI-së, e cilëson Edi Ramën, një njeri ekstremist në politikë, i cili ka bërë kapërcime radikale, nga e djathta tek e majta. Duke përmendur se Edi Rama, i ka munguar për 12-13 vjet historisë së PS-së, ish-kryeministri Meta, bën të ditur se zgjedhja e tij, në krye të kësaj partie, është “tregues I një krize të thellë të PS-së”. Në një intervistë për javoren “Klan”, Meta i kujton origjinën familjare Ramës, “e përfaqësuar në regjimin e mëparshëm deri në Komitetin Qendror dhe Byronë Politike”.
Duke u ndalur edhe te qëndrimi radikal, ektsremist i djathtë dhe mbyllja e mundësive për Edi Ramën, në një bashkëngjitje të mundshme pranë PD-ës, Meta, kujton se “Pasi u largua apo përjashtua nga PD-ja, mori nismën për krijimin e një partie shumë interesante, Partia Kristian-Islamike me bazë në Shkodër ku përgjithësisht do të pranoheshin njerëz që kishin vuajtur për një kohë të gjatë nga regjimi komunist. Ju i dini qëndrimet e tij të asaj kohe në librin ‘Refleksione’. Pra, një qëndrim i qartë kundër luftës antifashiste (qenkësh një luftë thjesht civile), dhe në atë libër ka kërkuar edhe nxjerrjen jashtë ligjit të PS-së, të cilën sot e drejton. Më pas ka qenë i pavarur dhe u rikthye në 1998, pas një oferte të kryeministrit Nano, nga Parisi për në ministrinë e Kulturës”, kujton kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Më pas, Meta ndalet në mënyrën se si Rama u ngjit në krye të PS-ës.
“Ai ka munguar për 12-13 vjet në historinë e PS-së dhe ka menduar e mendon se mund të përçojë mentalitetin e një lideri duke e nxjerrë këtë parti nga shinat e këtyre dhe vlerave, për të cilat kanë punuar jo vetëm personalitete të shumta, por edhe qindra mijëra njerëz anembanë Shqipërisë. Sepse duke u mbështetur në një parti të tillë, ai e ndjen veten të huaj, kështu që kërkon të realizojë uzurpimin e strukturave të partisë me njerëz të bashkisë, pa pasur asnjë lidhje me PS-në, por që hynë në bashki për shkak të zotit Rama dhe votave që socialistët u dhanë atyre; që hynë aty për llogari të klientëve kryesorë të bashkisë së Tiranës. PS-ja sot është më e cenuar dhe e diskutueshme se kurrë, për atë se çfarë ajo përfaqëson, për atë çfarë ka përfaqësuar në të kaluarën dhe për atë se ku po shkon... Unë e kam thënë gjithmonë se ardhja e Edi Ramës në krye të PS-së nuk është tregues i reformimit të saj, por në fakt i krizës së thellë në të cilën ishte PS. Kjo ardhje ishte një zgjedhje tërësisht e panatyrshme, e cila erdhi edhe për shkak se PS në atë moment nuk kishte asnjë figurë që vërtet të kishte elementët e një lideri. o se nuk kishte pasur më përpara figura të tilla, por sepse si rezultat i degradimit që ndodhi, këto figura ose u përjashtuan ose u zhvleftësuan me akuza nga më të ndryshmet, por edhe me paqëndrueshmërinë e tyre pragmatiste. Zgjedhja e Ramës ishte tregues i kësaj krize. Ai ishte një njeri që kishte pasur urrejtje ndaj kësaj partie kohë më parë, që e kishte për turp të quhej anëtar i kësaj partie disa vite më parë, por që në një moment të caktuar u shfaq më socialist nga socialistët”, shprehet midis të tjerave kreu I LSI-së Ilir Meta, në pjesën e intervistës, ku bënë edhe një analizë të figurës së Edi Ramës.