Javën e ardhshme mbyllen ratifikimet e Protokollit të Anëtarësimit në NATO

Gati procedura e nënshkrimit të marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Aleancës. Dje ka qenë radha e Portugalisë, në fillimjavë do vijë ratifikimi i Holandës, ndërkohë që i fundit, ka mbetur sërish parlamenti i Greqisë. Vetë Kuvendi i Shqipërisë do ta nisë gjatë javës procedurën, duke bërë realitet anëtarësimin e plotë në NATO, 3 prillin e ardhshëm
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka deklaruar dje se vendi ynë është në fazën përmbyllëse të ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryetarja e Kuvendit ka deklaruar se “deri tani e kanë mbyllur këtë ratifikim 23 vende anëtare të NATO-s dhe pritet që ditën e martë këtë ratifikim ta bëjë senati i Holandës dhe të martën pasdite kam informacion se do ta votojë edhe Greqia”. Ditën e premte ky ratifikim do të bëhet edhe nga Portugalia. Dhe kështu, Shqipëria mbyll këtë ratifikim në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër”.
Në cilësinë e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Topalli është shprehur se “jam jashtëzakonisht krenare dhe kam një sadisfaksion të jashtëzakonshëm që Kryetarët e Parlamenteve, të Senateve, kolegë deputetë të këtyre vendeve e kanë vendosur në axhendën nacionale këtë ratifikim bashkë me prioritetet e tjera nacionale që ato kanë”. Topalli ka vlerësuar në mënyrë të veçantë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbështetje që e cilësoi si shumë të rëndësishme. Kryetarja e Kuvendit deklaroi se “javën e ardhshme do të fusim në procedurë nënshkrimin e kësaj marrëveshje midis Shqipërisë dhe Aleancës, sepse më parë duhet të përmbylleshin votimet në senatet dhe parlamentet e 26 vendeve anëtare”.
Kryetarja Topalli bëri të ditur se “Parlamenti i Shqipërisë javën e ardhshme fillon vetë procedurën për të votuar këtë protokoll të anëtarësimit në NATO dhe kjo do të jetë një ditë shumë e madhe për të gjithë shqiptarët”.
Portugalia ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
TIRANE - Parlamenti i Portugalisë ratifikoi dje protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ashtu si Kryetari i parlamentit, Jaime Gama ia kishte premtuar Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë në një bisedë telefonike të pak ditëve më parë.
Kryetarja e Kuvendit ka falënderuar homologun e saj Gama për angazhimin e tij personal për përshpejtimin e këtij ratifikimi si dhe deputetët e Portugalisë për votën e tyre pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky ratifikim konfirmon deklaratën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila pohoi dje se vendi ynë është në fazën përfundimtare të ratifikimeve të Protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës. Portugalia bëhet kështu vendi i 24-t që ratifikon Protokollin, ndërkohë të martën pritet që ky ratifikim të bëhet edhe nga Holanda dhe Greqia duke përmbyllur kështu fazën e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga të 26 vendet anëtare të Aleancës.
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa takon Ekipin e Konsultimeve me NATO-n
“Anëtarësimi në NATO, vlerësime nga ekipi konsultativ”
TIRANE - Ekipi i konsultimeve të Shtabit Ndërkombëtar të NATO-s, ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria për planifikimin e mbrojtjes si edhe angazhimet në kuadër të anëtarësimit në aleancë, gjatë një takimi që ka pasur me ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa.
Ministri Oketa e njohu ekipin e NATO-s me punën e bërë për planifikimin e mbrojtjes e të forcës, veçanërisht pas marrjes së ftesës në Samitin e Bukureshtit; për procesin e modernizimit të forcës; të asgjësimit të municioneve të tepërta, etj.
Ai theksoi angazhimin e plotë të institucioneve shtetërore, politike e shoqërore në mbështetje të këtij procesi, përmes miratimit të kuadrit të plotë ligjor, mbështetjes financiare, etj.
Ministri Oketa vlerësoi mbështetjen e NATO-s, përmes konsultimeve, si domosdoshmëri për njohjen dhe koordinimin e hapave të mëtejshme për integrimin e plotë të strukturave përkatëse. Ekipi i NATO-s, vlerësoi progresin e bërë për planifikimin e mbrojtjes e të forcës, të cilat janë në bazë të përmbushjes së detyrimeve dhe angazhimeve në kuadër të anëtarësimit të plotë në Aleancë.