SHBA: Regjimi i Bashar Assad, një i vdekur i gjallë.

Regjimi i Bashar Assad, që prej marsit po drejton një represion të përgjakshëm, është i barabartë me një të vdekur të gjallë.
Kështu ka deklaruar një përfaqësues i lartë amerikan gjatë një audicioni përpara një komisioni të Kongresit, ku ka akuzuar vendet aleate të Damaskut, si Rusinë, për “llogari politike”.
“Opinioni ynë është që regjimi të jetë si një i vdekur i gjallë”, ka deklaruar Frederic Hof, koordinator për cështjet e Lindjes së Mesme pranë Departamentit të Shtetit.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon kërkoi reagimin e të gjithë
botës, duke iu referuar shifrës prej pesë mijë personash të vdekur.
“Kjo që po ndodh nuk mund të vazhdojë më. Në emër të njerëzimit është momenti që komuniteti ndërkombëtar të reagojë”, ka thënë Ki Moon në konferencën për shtyp të fundvitit.
Ndërkohë, dezertorë të bashkuar me rebelët sulmuan një autokolonë të Ushtrisë Siriane, duke vrarë tetë ushtarë, në një aksion hakmarrës për sulmin e kryer ndaj civilëve në al-Asharna, pranë qytetit të Hamës.
Sipas OKB-së, numri i personave të vrarë ka kaluar 5 mijë, por Damasku e ka cilësuar këtë shifër si “qesharake”.