SHBA: Regjimi sirian ka përdorur armë kimike

Shtëpia e Bardhë ka thënë se hetuesit amerikanë kanë konstatuar se Qeveria e Sirisë ka përdorur armë kimike disa herë dhe se Shtetet e Bashkuara do të nisin tani ofrimin e ndihmës ushtarake për rebelët sirianë.
Presidenti Barack Obama ka paralajmëruar më herët se përdorimi i armëve kimike është “vija e kuqe”, e cila do të çojë në përfshirje më të madhe të SHBA-së në konfliktin e Sirisë.
Zëvendëskëshilltari për Siguri Kombëtare, Ben Rhodes, ka thënë se agjencitë e inteligjencës së SHBA-së kanë “besim të lartë” në provat që tregojnë se Qeveria siriane ka përdorur në shkallë të vogël armë kimike kundër opozitës, përfshirë agjent sarin.
Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara besojnë se 100 deri në 150 njerëz kanë vdekur si rezultat i përdorimit të armëve kimike në Siri. Po ashtu është thënë se nuk ka prova të besueshme, të cilat sugjerojnë se forcat rebele kanë përdorur armë të tilla, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Njoftimi është pasuar me thirrjet e disa ligjvënësve amerikanë për Uashingtonin që të sigurojë raketa anti-tank dhe tokë-ajër për rebelët. Kryengritësit sirianë dhe udhëheqësit politikë të opozitës kanë bërë po ashtu thirrje për dërgesa urgjente të armëve të sofistikuara.
Deri më tash, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë “jo-vdekjeprurëse” për opozitën. Por, Arabia Saudite, Katari dhe Turqia raportohet se kanë furnizuar tashmë me armë rebelët sirianë.
Gjatë gjithë konfliktit, Rusia, në anën tjetër, ka furnizuar me armë Qeverinë e Sirisë, aleat të afërt të saj.
Më herët, Franca dhe Britania kanë thënë po ashtu se kanë gjetur prova se forcat e presidentit Bashar al-Assad kanë përdorur armë kimike. Dy fuqitë evropiane kanë arritur së fundmi të heqin embargon e Bashkimit Evropian në sigurimin e armëve për rebelët.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të nisur furnizimin me ndihmë ushtarake pason një debat brenda administratës Obama në lidhje me pasojat e mundshme të një hapi të tillë. Disa zyrtarë amerikanë janë shprehur të shqetësuar se armët mund të bien në duart e militantëve anti-perëndimorë, të cilët kanë mbështetur rebelimin.
Duke folur për gazetarët, zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare, Ben Rhodes, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të nisin mbështetjen direkte për opozitën, e cila do të jetë ndryshe nga ajo që ka ofruar SHBA-ja deri më tash.
“Presidenti ka marrë vendim për të siguruar më shumë mbështetje për opozitën. Bëhet fjalë për mbështetje direkte, e cila përfshin atë ushtarake. Nuk mund të jap detaje për llojet e kësaj mbështetjeje për një sërë arsyesh, por mjafton të thuhet se do të jetë ndryshe nga ajo që kemi ofruar më herët për Këshillin Suprem Ushtarak (mekanizëm i opozitës)”, ka thënë Rhodes.
Ai ka bërë të ditur se Uashingtoni ka informuar Rusinë për përdorimin e armëve kimike në Siri. Rhodes ka thënë se Rusia dhe të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar duhet të jenë të shqetësuar për këtë çështje.
Njoftimi i Shteteve të Bashkuara është bërë pasi Kombet e Bashkuara kanë rritur vlerësimin për numrin e të vdekurve në konfliktin e Sirisë në gati 93,000. Trazirat civile në këtë vend kanë nisur në mars të vitit 2011./Indeksonline/