SHBA, Romni optimist për fitore dhe në pesë shtete të tjera

Fitorja e pritur e ish guvernatorit të Masaçusetsit, Mit Romni, në garën republikane për nominimin e kandidatit për zgjedhjet presidenciale në pesë shtete, duket se përfundimisht do t`i mundësojë atij fokusim të plotë në fushatën kundër presidentit Barak Obama.
Romni dhe Obama tashmë janë të angazhuar në një betejë të rëndë, intensiteti i së cilës, sipas të gjitha gjasave, do të shtohet gjatë periudhës së ardhshme deri në zgjedhjet presidenciale më 6 nëntor.
Sot mbahen votimet në Konektikat, Delaver, Nju Jork, Pensilvani dhe Rode Ajlend, që mund të ndikojnë që Mit Romni të shtojë numrin e delegatëve dhe t`i afrohet numrit prej 1144 delegatë, që i duhen për tu bërë i nominuari zyrtar i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale.
Pas tërheqjes së ish senatorit Rik Santorum nga gara, tashmë Romnit i kanë mbetur vetëm dy rivalë: Njut Gingriç dhe Ron Pol, që me numër të delegatëve dhe në bazë të sondazheve janë shumë më dobët se Mit Romni.