Pirro Dhima kryeson listën për deputet të PASOK

Pirro Dhima, atleti me origjinë shqiptare do të kryesojë listën me 12 emra për deputet të PASOK, në Greqi. Mbasditen e sotme kryetari i PASOK, Evangelos Venizelos shpalli listën, ndërsa mësohet se zgjedhja e Dhimës është një zgjedhje personale e Venizelos.
Sipas mediave në Greqi, Venizelos kërkon të tregojë simbolikë të fuqishme me zgjedhjen e Dhimës, simbolikë e cila korrespondon me imazhin e sportistit në Greqi.
Pirro Dhima është atleti më i mirë grek i të gjitha kohërave me katër medalje Olimpike dhe një ndikim të fortë social në shtetin fqinj. Ai është gjithashtu edhe njeriu i cili nxori nga “bataku” peshëngritjen greke, pas shpërthimit të skandalit për përdorimin e substancave të ndaluara.
Pirro Dhima është gjithashtu një oficer në ushtrinë greke, i cili merret më së shumti me aktivitetet sportive në rradhët e Forcave të Armatosura.