SHBA, Rusi, bisedime për kontrollin e armatimeve
Zëvendës-ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Riabkov, tha se të dy vendet nuk arritën t'i afronin qendrimet e tyre për çështjet lidhur me kontrollin e armatimeve, por vuri në dukje se Moska është e kënaqur me bisedimet.
I ngarkuari me funksionin e nënsekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Rod, kryeson delegacionin e Shteteve të Bashkuara në bisedimet e sotme në Moskë, që besohet se janë diskutimet e fundit për këtë temë, para se administrata e re amerikane të fillojë punën më 20 janar.
Në rendin e ditës së bisedimeve u përfshinë planet amerikane për sistemin mbrojtës nga raketat dhe një marrëveshje për paksimin e armëve bërthamore që skadon këtë vit.
Në komentet e tij, zoti Riabkov u shpreh me optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeve për zëvendësimin e Traktatit për Pakësimin e Armëve Strategjike, që skadon në dhjetor të vitit 2009.