Beogradi shmang Prishtinën, hap linjën hekurudhore në veri
Mitrovicë - Asnjë lajmërim dhe asnjë leje nuk është marrë nga autoritetet kosovare, por pavarësisht këtyre, Beogradi ka vendosur në funksionim linjën hekurudhore që lidh veriun e Kosovës me Beogradin. Lajmin e bën të ditur Përfaqësuesi i strukturave paralele serbe Zoran Bogavac, i cili në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika” ka deklaruar se "rivendosja e kësaj linje hekurudhore është bërë në kuadër të aksionit për vendosjen e trafikut hekurudhor në relacionin Beograd - krahina jugore serbe". Sipas tij, "hekurudhat e Serbisë" janë të hapura për bisedime me UNMIK-un për vendosjen e trafikut edhe deri në Han të Elezit, por kjo varet nga "UNMIK hekurudhat", përkatësisht siç janë riformuluar tash vonë si Hekurudhat e Kosovës".