E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA; Senati miraton projektligjin për reformën shëndetësore

Senati amerikan miratoi ligjin e ri për reformimin e sistemit shëndetësor, i cili pritet të mbulojë rreth 30 milionë amerikanë që nuk kanë sigurime shëndetësore. Me një votim dje herët në mëngjes, senatorët e miratuan ligjin me 60 vota pro dhe 39 kundër. Votimi u bë sipas përkatësive partiake dhe pakica republikane votoi e gjitha kundër. Miratimi përfaqëson një fitore për Presidentin Barack Obama dhe demokratët e tij, të cilët e kishin bërë reformën shëndetësore një ndër përparësitë e tyre kryesore. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se legjislacioni i miratuar në Senat përfshin “masat më të forta të ndërmarra ndonjëherë për ta bërë të përgjegjshme industrinë e sigurimeve”. Përpara se Presidenti të mund të hedhë firmën mbi ligjin e ri, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve duhet të bëjnë rakordimin e dy varianteve për të dalë me një legjislacion të vetëm përfundimtar. Dy variantet ndryshojnë në disa pika të rëndësishme, gjë që nënkupton se kompromisi mund të kërkojë kohë. Veç zgjerimit të mbulimit me sigurime shëndetësore, legjislacioni i ri nuk do të lejojë që kompanitë e sigurimeve t’u mohojnë amerikanëve kujdes shëndetësor për shkak të sëmundjeve që mund të kenë pasur më parë. Udhëheqësit republikanë argumentojnë se projektligji është tepër i kushtueshëm dhe do të bëjë që industria e kujdesit shëndetësor të kalojë nën kontrollin e qeverisë. Udhëheqësi i shumicës demokrate të Senatit, Harry Reid, e quajti votimin e djeshëm një fitore. “Kjo, - tha ai, - konfirmon se aftësia për të bërë një jetë të shëndetshme në Amerikë është një e drejtë dhe jo një privilegj”. Përpara votimit, udhëheqësi i pakicës republikane, Mitch McConnell, tha se ai dhe kolegët e tij republikanë do të përpiqeshin të mos lejonin miratimin e projektligjit dhe shtoi se “kjo betejë nuk ka marrë fund”. Zyra e Kongresit për buxhetin, e cila është jopartiake, thotë se zbatimi i legjislacionit të ri do të kushtonte 871 miliardë dollarë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›