E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan; Policia Rrugore, masa për parandalimin e aksidenteve

Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan ka marrë masa për parandalimin e aksidenteve për festat e fundvitit. Si rezultat i rritjes së fluksit të automjeteve në lëvizje, sektori i Qarkullimit Rrugor ka hartuar një plan të veçantë masash për minimizimin e aksidenteve rrugore, duke qenë se emigrantët vijnë për festat e fundvitit. Një tjetër objektiv i këtij institucioni është edhe rrjedhshmëria normale e lëvizjes së automjeteve. Në të gjithë Qarkun e Elbasanit janë përforcuar shërbimet e Policisë Rrugore në akset e rrugëve kryesore, si në Qafë-Thanë, Librazhd-Elbasan-Qafë Krrabë, Elbasan-Gramsh, Elbasan- Peqin-Rrogozhinë. Gjithashtu janë shtuar edhe shërbimet e Task-Forcës. Shefi i Qarkullimit shprehet se përdoruesit e rrugës, përfshi edhe këmbësorët, duhet të respektojnë kërkesat dhe normat e Kodit Rrugor. Në ato akse ku ka rrugë problematike, të cilat janë në kushtet e ngricës dhe dëborës, të mos lëvizin pa zinxhirë. Këto masa janë marrë për të rritur sigurinë në rrugë. Pikërisht në statistikat e periudhës 11-mujore, janar-nëntor 2009, bilanci shkon në 60 aksidente automobilistike, me pasojë 36 të vdekur. Për minimizimin e aksidenteve, Policia e Qarkullimit Rrugor ka realizuar bashkëpunim me bashkitë e qyteteve. Për të sensibilizuar drejtuesit e automjeteve, efektivat e policisë kanë shpërndarë edhe fletëpalosje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›