E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria ushqimore, Task-Forcë, kontroll njësive të tregtimit

Produktet ushqimore në njësitë tregtare, tregje shumice, lokale, pastiçeri etj., do të jenë objekt kontrolli gjatë gjithë këtyre ditëve, për të garantuar cilësinë e produkteve që do të tregtohen gjatë festave të fundvitit. Siguria ushqimore mbetet një nga prioritetet e punës së Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Prandaj, Inspektoratet e Sigurisë Ushqimore në të gjitha rajonet e vendit, duke pasur parasysh fluksin e madh të prodhimit, tregtimit dhe konsumimit të produkteve ushqimore për periudhën e festave të fundvitit, kanë kryer kontrolle për parandalimin e riskut, që cenon cilësinë dhe sigurinë ushqimore, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit. Ky kontroll është kryer sipas program–veprimit në bashkëpunim me strukturat homologe të kontrollit, si Inspektoratin Sanitar Shtetëror, veterinerët e bashkive dhe komunave dhe Task–Forcën e Tatimeve. Do të jenë disa drejtimet, ku do të fokusohet kontrolli që garanton cilësinë ushqimore. Burimet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bënë me dije dje se gjatë këtyre ditëve do ushtrohet kontrolli i etiketimit të produkteve të prodhuara në vend dhe të importuara. Ky kontroll do përqendrohet tek afatet e skadencës së produkteve, si dhe shoqërimi me etiketë në gjuhën shqipe. Objekt tjetër kontrolli është ai ndaj pijeve alkoolike që tregtohen në lokale të ndryshme dhe në treg, si dhe monitorimi i birrës me mostra të kodifikuara.
Grupet e punës do kontrollojnë pikat e tregtimit të lëndëve të para të pastiçerisë (qumësht pluhur, pana etj.) dhe i subjekteve prodhuese të pastiçerisë. Kontrolli i tregjeve të shitjes me shumicë, për afatet e garancisë së produkteve ushqimore, kushteve të ruajtjes së produkteve ushqimore me origjinë shtazore. Kontrolli i kushteve sanitare-veterinare të subjekteve prodhuese dhe tregtuese të produkteve të mishit dhe pikave të therjes. Burimet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë thanë dje se deri më tash janë realizuar kontrolle në 310 subjekte prodhuese dhe tregtuese të produkteve ushqimore. Gjatë këtyre kontrolleve janë konstatuar produkte ushqimore me afate skadimi të tejkaluara në sasinë rreth 390 kv, me vlerë leku rreth 13.272.000 lekë, të cilat janë asgjësuar sipas procedurave të asgjësimit. Analizimi në laboratorët e sigurisë ushqimore në rajone i produkteve të pastiçerisë dhe pijeve alkoolike, ka nxjerrë përfundimin se këto produkte kanë rezultuar sipas standardeve në fuqi. Problem mbeten tregjet, pasi janë të amortizuara dhe nuk plotësojnë kushtet për të realizuar tregtimin e produkteve me origjinë shtazore. Miratimi dhe kontrolli i tregjeve bëhet nga Pushteti Vendor, ndërsa kontrollin e kushteve higjieno-sanitare e kryejnë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë. Problematikë mbetet edhe dokumentacioni shoqërues nga origjina, pasi jo të gjitha subjektet e marrin mallin me certifikatë origjine e certifikatë veterinare, gjë që vështirëson identifikimin e subjekteve prodhuese ose importuese të produkteve ushqimore. Task-Forca kontribuon në këto kontrolle. Gjithashtu, problem mbetet zbatimi nga bizneset e importit të produkteve ushqimore të etiketimit edhe në gjuhën shqipe të produkteve ushqimore të importuara. Gjatë kësaj periudhe është komunikuar me median lokale dhe iu është bërë thirrje qytetarëve, për të mos konsumuar produkte të paetiketuara dhe të pasigurta, që tregtohen në kushte dhe vende të papërshtatshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›