E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-Serbisë:është koha përEvropë të bashkuar

UASHINGTON- Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën sot mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që thekson se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe u bëri thirrje vendeve evropiane të mbështesin vendimin e gjykatës.
"Mendimi i GJND-së shpreh ligjshmërinë e deklaratës për pavarësinë e Kosovës. Ne e mbështesim këtë vendim", deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Crowley."Ka ardhur çasti për Evropën të bashkohet për një të ardhme të përbashkët", shtoi ai si apel për Serbinë
Pak më parë, GJND-ja u shpreh se deklarata për pavarësinë e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, në një mendim konsultativ për ligjshmërinë e kësaj deklarate.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, kërkoi sot të "evitohen provokimet pas shpalljes së mendimit konsultativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilës pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare", njoftoi Martin Nesirky, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm, gjatë një konference në zyrat e Kombeve të Bashkuara.
"Ban Ki Moon inkurajon palët e përfshira të angazhohen në një dialog konstruktiv, duke i evituar provokimet që mund të dëmtojnë këtë dialog".
"Sekretari i Përgjithshëm do t’ia transmetojë mendimin e Gjykatës Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së", shpjegoi zëdhënësi.

Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, u shpreh sot ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, GJND, sipas të cilës deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
"Ky mendim shpreh qartë se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim as me të drejtën ndërkombëtare as me rezolutën 1244. Franca gjithmonë e ka mbështetur atë dhe unë shpreh kënaqësinë për këtë vendim", deklaroi Bernard Kouchner në një komunikatë për shtypin.
"Mendimi i gjykatës e forcon pavarësinë e Kosovës, realisht e arritur që prej më tepër se dy vjetëve dhe që është njohur nga 69 shtete. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme", shtoi ai.
"Duke menduar për zhgënjimin e mundshëm të serbëve dhe kënaqësinë e kosovarëve përsëris miqësinë personale dhe atë të popullit francez me këto dy vende", theksoi ministri, sipas të cilit Serbia dhe Kosova "janë të prirura të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian".

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle u bëri thirrje sot Beogradit dhe Prishtinës të orientohen drejt "së ardhmes së tyre evropiane" pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, GJND, sipas të cilës deklarata për pavarësinë e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
"U bëj thirrje politikanëve të Beogradit dhe Prishtinës të shohin tani drejt së ardhmes së tyre evropiane dhe të diskutojnë në mënyrë konstruktive dhe pragmatike për çështje të bashkekzistencës së përditshme në interes të popujve të vendeve të tyre", bëri të ditur ministri në një komunikatë.
"Tani kërkohet politikë dhe dialog", shtoi ai, duke theksuar se "e ardhmja e Serbisë dhe Kosovës janë në BE".
Më parë, GJND-ja u shpreh se deklarata për pavarësinë e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, në një mendim konsultativ për ligjshmërinë e kësaj deklarate.

Mendimi i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, GJND, nuk e ndryshon aspak qëndrimin e Rusisë, që është kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, u shpreh sot Ministria e Jashtme ruse në një komunikatë. "Qëndrimi ynë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar", bëri të ditur ministria ruse.
"Mendojmë se zgjidhja e problemit të Kosovës është e mundur vetëm me vazhdimin e bisedimeve mes palëve në fjalë", thuhet më tej në komunikatë.
"është shumë e rëndësishme që Gjykata ka dhënë mendimin e saj vetëm për deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar pikërisht se nuk e shqyrton në tërësi çështjen e të drejtës së Kosovës për ndarje të njëanshme nga Serbia", theksoi ministria ruse. GJND-ja theksoi sot se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, në një mendim konsultativ. Rusia, aleate historike e Beogradit, e ka kritikuar shumë herë pavarësinë e Kosovës e njohur nga perëndimorët.

Serbia nuk e njeh shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Gjashtëdhjetë e nëntë vende, ndër të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 nga 27 vende të Bashkimit Evropian, e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›