SHBA: Trepça nën juridiksionin e Qeverisë së Kosovës

Siç kishte raportuar Indeskonline më 17 maj, se “New Generation Power” dhe Chirinjeev Kathuria nuk ka lidhje me krahun zyrtar të Shteteve të Bashkuara e aq më pak me përfaqësimin e interesave apo interesimit të Shtetit amerikan në rajon, sqarohet edhe ambasada amerikane në Prishtinë.
Ajo, përmes një kumtese ka mohuar që Departamenti amerikan i Shtetit të jetë implikuar në lidhjen e marrëveshjes së konsorciumit “New Generation Power” me Qeverinë e Serbisë për nxjerrjen e mineraleve nga minierat e Trepçës.Qeveria e SHBA-ve e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Praktika jonë është që të këshillojmë cilëndo kompani të SHBA-ve që kërkon të bëjë transaksion afarist në territorin e Kosovës që ta diskutojë këtë direkt me Qeverinë e Kosovës, thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane.
Gjersa ambasada e SHBA-ve në Prishtinë nuk është marrë me “New Generation Power” zyrtarë të Departamentit të Shtetit në Washington e kanë këshilluar “New Generation Power” se Kosova është shtet sovran dhe se Qeveria e Serbisë nuk ka juridiksion mbi kompleksin e minierave të Trepçës, thuhet më tej në komunikatë .
Departamenti i Shtetit po ashtu inkurajoi kompaninë “New Generation Power” që të kontaktojë me Qeverinë e Kosovës direkt për të diskutuar lidhur me investimin që e ka propozuar.
Ne e dimë se rruga para kompleksit të minierave të Trepçës është sfiduese dhe do të vazhdojmë të rekomandojmë që investuesit potencialë nga SHBA-të të hulumtojnë tërësisht ndërmarrjen dhe statusin e saj, përfundon komunikata e Ambasadës amerikane në Prishtinë./Indeksonline./