E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA-Uells 1-1, vjen dhe barazimi i parë

Takimi që uli siparin e ditës së dytë të këtij Botërori ishte ai midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Uellsit, që, sikundër e kishte pritur edhe trajneri i amerikanëve, Greg Berhalter, rezultoi një duel të fortë fizik. Përballja e vlefshme për grupin B ka parë amerikanët të mbizotërojnë përballë uellsianëve, dhe vetëm një paraqitje e shkëlqyer e gardianit Uejn Henesi në portën e britanikëve do t’u mohojë atyre golin në të paktën dy raste 10 minutat e para. Amerikanët vijojnë të këmbëngulin dhe është një ndërthurje e bukur e Pulishiçit dhe të riut Timoti Ueah që i jep mundësi këtij të fundit, të përshëndesë rrjetën.

Në fakt ishte një finalizim mbresëlënës i të riut që është djali i legjendarit liberian, Zhorzh Ueah, por ka zgjedhur të luajë për përfaqësuesen e vendit ku ka lindur, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me epërsinë e uellsianëve, si në lojë, ashtu edhe në gola, do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të shohë gradualisht skuadrën uellsiani, të udhëhequr nga ylli i saj Gareth Bejl, të provojë dhe të këmbëngulë më tepër. Dhe kjo këmbëngulje do të shpërbehet 8 minuta para fundit, kur ish-lojtari i Totenhemit dhe Realit të Madridit, fiton një 11-metërsh, të cilin ai e shndërron vetë në gol duke barazuar shifrat.

Kështu, mbyllet në barazim 1-1 kjo përballje e Uellsit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa Anglia kryeson grupin B me pikë të plota pas takimeve të para.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›