SHBA: Zgjedhjet dhe korrupsioni, problemet e mëdha të Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur me anë të raportit vjetor për të drejtat e njeriut të Departamentit të Shtetit se zgjedhjet e 29 qershorit 2009 kishin probleme të rënda dhe nuk përmbushën plotësisht standardet e kërkuara. “Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri nuk plotësuan tërësisht standardet demokratike, ndërsa korrupsioni politik mbetet ende problem i madh për vendin”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
ZgjedhjetNë kapitullin për Shqipërinë duke u ndalur te zgjedhjet e vitit të kaluar, Departamenti i Shtetit i referohet raportit të OSBE/ODIHR-it, i cili thekson se zgjedhjet shënuan përparim nga ato të kaluarat, por nuk përmbushën plotësisht standardet ndërkombëtare. Në pjesën mbi zgjedhjet dhe të drejtat politike, aty ku analizohen zgjedhjet e qershorit, raporti i Departamentit të Shtetit, duke iu referuar analizës së zgjedhjeve që bënë vëzhguesit e OSBE-së, vë në dukje se numërimi i votave ishte i keq, ose shumë i keq, në 22 nga 66 qendrat e numërimit. Megjithatë, thuhet me tej, misioni i ODIHR-it nuk gjeti të dhëna për parregullsi gjatë numërimit, ose manipulim të rezultatit dhe po ashtu nuk gjeti parregullsi të mëdha në këto qendra. Opozita i kundërshtoi këto konkluzione në dukje kontradiktore të vlerësimit të ODIHR-it. Raporti thekson se procesi i apelimit paszgjedhor u zhvillua në mënyrë profesionale. Rezultatet përfundimtare të ndarjes së vendeve në Parlament u pranuan me votë unanime nga të gjithë anëtarët e KQZ-së. Megjithatë, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, mbulimi i zgjedhjeve nga shtypi ishte dukshëm në favor të dy partive kryesore politike PS dhe PD duke lënë mënjanë partitë e vogla. Po ashtu, qeveria shfrytëzoi ngjarje zyrtare, përfshirë përurimin e projekteve publike për qëllime elektorale. Pati akuza të shumta, disa prej të cilave janë provuar, se ka pasur trysni për të ndjekur mitingjet e PD-së dhe kërcënime për pushim nga puna në të kundërtën. Ndonëse më rrallë, thuhet në raport, edhe kryetari i Partisë Socialiste shfrytëzoi ngjarje zyrtare si kryetar bashkie për qëllime elektorale.
KorrupsioniProblem tjetër ku kritikohet Shqipëria është korrupsioni qeveritar që vazhdon të mbetet një problem i pazgjidhur. Me gjithë disa arrestime të nivelit të lartë, thuhet në raport, korrupsioni qeveritar vazhdoi të ishte pengesë e madhe për reformat. “Korrupsioni në polici dhe klima e mosndëshkimit kanë vazhduar. Trysnia politike, kërcënimet, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara, disa herë nuk e lejuan sistemin e drejtësisë të funksionojë në mënyrë të pavarur”, vijon raporti.
DrejtësiaNë raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit theksohet se “Kushtetuta e Shqipërisë garanton një gjyqësor të pavarur megjithatë presioni politik, kërcënimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e pamjaftueshme në shumë raste nuk lejojnë që sistemi gjyqësor të jetë i pavarur dhe eficent”. Në këtë raport theksohet se disa nga pjesët e gjyqësorit, apo gjykatave të pavarura si ajo Kushtetuese kanë pasur vazhdimisht konflikte me qeverinë për çështje të veçanta. Raporti i DASH përmend edhe rastet e rënies së akuzave ndaj ministrave Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha, të cilët kanë përfituar nga imuniteti i deputetit.
MediaNdonëse qeveria në përgjithësi i respekton të drejtat e shtypit, ka pasur njoftime se qeveria dhe bizneset kanë ushtruar trysni të tërthortë ndaj mediave. Raporti i Departamentit të Shtetit përmend në mënyrë të veçantë rastin e “Top Channel” ku “qeveria ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme kontratën me TCH”. Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, më 14 shtator Ministria e Ekonomisë prishi kontratën me “Top Channel” dhe e ka larguar këtë televizion disa herë kritik me qeverinë nga ambientet e vendosura tek “Ekspozita”. DASH thekson se çështja është në gjykim dhe ka pasur disa seanca gjyqësore gjatë vitit dhe çështja mund të zgjidhet gjatë fundit të vitit. Një emision mjaft i ndjekur satirik-investigativ “Fiks Fare” ka çuar në shkarkimin dhe ngritjen e akuzave kriminale ndaj zyrtarëve të korruptuar publikë. Në raport theksohet megjithëse shtypi nuk është i kufizuar ka probleme serioze me keqpërdorimin e shtypit për qëllime politike, që u thelluan gjatë dha pas fushatës elektorale. Në fushatë, shumica e mediave raportoi me njëanshmëri të hapur në favor të dy partive të mëdha dhe media publike shfaqi njëanshmëri të qartë ndaj PD-së në pushtet. Radio Televizioni Publik mbeti nën kontrollin e fortë të qeverisë. Herë pas here presioni politik dhe mungesa e fondeve e kufizuan pavarësinë e shtypit të shkruar. Ka pasur raste të presionit qeveritar direkt ose indirekt ndaj medias. Nga ana tjetër, vetë gazetarët kanë bërë të ditur se kanë praktikuar gjerësisht vetëcensurën. Roli hetues i shtypit ka ardhur në rritje.
#