E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen frikshëm shkarjet e tokës

Shkatërrohet lokali në Durrës. Bllokohet rruga në Fier. Frikë në Berat dhe Gjirokastër

Rrëshqitjet masive të tokës kanë krijuar probleme serioze në disa zona të vendit. Disa banesa janë shembur, ndërkohë që qarkullimi në disa segmente nacionale ka qenë mjaft i vështirë.

Durrës

Një lokal është shembur plotësisht nga rrëshqitjet në Currila të Durrësit. Erozioni vazhdon të shkaktojë probleme dhe frikë në zonën kodrinore të qytetit, ndërsa masat për ndaljen e fenomenit janë të largëta. Një tjetër shkarje masive ka ndodhur në zonën e Currilave gjatë orëve të para të mëngjesit, duke shkaktuar shembjen e një lokali dykatësh dhe bllokimin e rrugës. Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë favorizuar një tjetër rrëshqitje dherash nga kodra në lagjen nr. 1 të Durrësit, ndërsa shumë familje në këtë pjesë të qytetit jetojnë në ankth. Në momentin e shembjes, në lokal nuk ka pasur njerëz, pasi kanë qenë orët e para të mëngjesit. Gjatë muajve të fundit, pothuajse të gjitha lokalet e ndërtuara përgjatë rrugës që lidh Universitetin e Durrësit me pjesën tjetër të Currilave buzë kodrës janë mbyllur. Dherat dhe balta kanë vërshuar brenda tyre, ashtu si dhe në shtëpitë që ndodhen aty, duke shkaktuar dëme dhe kthyer në jofunksionale dhe të frikshme për t’u frekuentuar nga klientët. Bashkia ka ndërhyrë me mjetet e saj për të zhbllokuar rrugën, qarkullimi në të cilën është pezulluar për disa orë deri në largimin e dherave. Pasditen e djeshme, prefekti i Durrësit, Genci Alizoti, doli në një konferencë për shtyp duke deklaruar mbi situatën dhe veprimet që do të ndërmerren më tej. Prishja e kurorës së gjelbër të qytetit prej vitesh ka nisur të shfaqë pasoja të frikshme për të gjithë ata që kanë ndërtuar në zonën kodrinore.

Berat

Një fshat i tërë në Komunën Bogovë të Qarkut të Beratit rrezikohet seriozisht nga rrëshqitja e tokës. Brenda pak ditësh pesë banesa kanë dalë jashtë përdorimit si pasojë e dëmtimeve të pësuara. Banorët shohin çdo ditë e më tepër se shkarja po merr përpara tokat bujqësore, banesat dhe gjithçka tjetër. Fshati Nishovë i Komunës Bogovë, që ndodhet rrëzë malit Tomor, po përballet prej katër javësh me vërshimin e përrenjve, gjë që ka favorizuar edhe fenomenin e rrëshqitje së tokës. Prej vitesh banorët e këtij fshati kanë vuajtur thatësirën, por tashmë përrenjtë po rrezikojnë shtëpitë. Banorët thonë se përrenjtë që vijnë nga mali tashmë derdhen në mes të fshatit. Në çdo banesë ka dëmtime si pasojë e tronditjeve që vijnë nga rrëshqitja, por situata më e vështirë paraqitet për pesë të tilla që tashmë kanë dalë jashtë funksionimit nga çarjet që i kanë ndarë ato në pjesë. Kryeplaku i fshatit Nishovë thotë se 100 banorët ndihen të kërcënuar dhe kërkon që specialistët të inspektojnë këtë dukuri e cila duket se nuk ka të ndalur.

Gjirokastër

Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Ura e Kardhiqit-Sarandë, kanë shkaktuar rrëshqitje masive dheu përfund fshatit Plesat të Komunës së Cepos në rrethin e Gjirokastrës. Aktualisht, në këtë rrugë vazhdon punën një nga tri firmat ndërtuese, e cila është përqendruar në eliminimin e pasojave të rrëshqitjes. Punëtorët po punojnë për ndërtimin e mureve mbajtëse në shpatin e majtë të rrugës, ndërkohë që herë pas herë janë të detyruar të ndërpresin punimet për të larguar baltën që rrëshqet vazhdimisht pas çdo shiu. Kryetari i komunës, Dragush Logli, tha për “Shqip” se është miratuar një shtesë fondi, por me gjithë këtë ndërhyrje situata vjen duke u vështirësuar. Rrëshqitja që sa vjen e zgjerohet ka mbërritur pranë shtëpive të lagjes së poshtme të fshatit Plesat dhe banorët e tyre nga frika janë larguar dhe banojnë te të afërmit e tyre. Ndërkaq, rikthimi i reshjeve kanë bërë që lumi Drino të dalë nga shtrati dhe të përmbytë disa hektarë tokë, ndërkohë që nga vërshimi e ujërave janë shtuar vatrat e rrëshqitjeve të dherave në disa zonat të tjera të rrethit dhe Qarkut të Gjirokastrës. Situata e rrëshqitjeve vazhdon të jetë e rënduar si më parë në disa pika të aksit të rrugës nacionale Gjirokastër-Tepelenë-Ballsh, në lagjet verilindore Marinë dhe Hoxhallarë të qytetit të Libohovës dhe në fshatin Llongo të Dropullit të Sipërm. Kryeinspektori i shërbimit gjeologjik të Qarkut të Gjirokastrës, çano Nora, tha se situata paraqitet problematike edhe në disa zona në brendësi dhe rrethina të fshatit Mashkullorë, në Shkallë të Zezë, rrugën Luftinjë - Sektori C të ish-minierës së qymyrgurit në Memaliaj etj.

Fier

Mëngjesin e së enjtes në afërsi të depove të ujit nga furnizohet i gjithë qyteti i Fierit dhe disa zona periferike të tij, pranë Qafës së Koshovicës, rruga ka pësuar shkarje të mëdha, duke bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve. Shkarja e tokës ka krijuar çarje të mëdha të rrugës. Lëvizja më e madhe e dherave ka ndodhur rreth orës 09:30 të paradites. Një furgon me pasagjerë është rrezikuar të batohet, por manovrimi i shpejtë i drejtuesit ka shmangur aksidentin. Më pas janë lajmëruar drejtuesit e prefekturës dhe këshillit të qarkut që kanë shkuar në vendngjarje. Kjo rrëshqitje toke ka izoluar Komunën Cakran, që është komuna më e madhe e Shqipërisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›