QSUT, shërbimet të gjitha me koncesion në 2011
Brenda një viti të gjitha pavijonet, shërbimet, laboratorët dhe sektorët e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” duhet të mbyllin llogaritjet. Secili shërbim që jepet në spital duhet të përllogarisë koston nga kujdesi më i thjeshtë që i bëhet pacientit deri te më i vështiri, duke përfshirë të gjitha hallkat nëpër të cilat do të kalojë. Ky proces mendohet se do të përfundojë të paktën deri në nëntor të këtij viti, në mënyrë që kur të bëhen planet për prioritetet e 2010, të vendoset cilat janë ato shërbime që duhet të ecin me hapin e kohës dhe duhet të shkojnë drejt privatizimit, apo forma të tjera të koncesionit.
Duke u nisur nga ky projekt është kërkuar që të realizohen të gjitha llogaritjet e kostove, në mënyrë që të “matet” mirë, puna për të cilën ka nevojë shërbimi, dhe vlera e “shitjes” së tyre, në këtë rast për përmirësime të mëtejshme, sipas rregullave që njeh ekonomia. Në fillim të janarit të vitit të ardhshëm, çdo shërbim shëndetësor në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë do të ketë koston e tij.
KërkesaDrejtori i qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, Ilir Dashi, ka deklaruar se afatet kohore janë shumë të shtrënguara dhe më 1 janar të vitit të ardhshëm gjithçka duhet të ketë përfunduar. “Sapo kemi ngritur grupe pune me përfaqësues të drejtorisë dhe drejtues të specialiteteve të ndryshme në çdo pavijon. Do të tërheqim mendimin e specialistëve të fushës, do të konsultohemi me ekspertë dhe jemi të vendosur që të përfundojmë në kohën e caktuar përcaktimin e kostove për çdo shërbim që do të nxjerrim në shitje vitin e ardhshëm”, u shpreh Dashi.
Drejtoria e QSUT u ka kërkuar shefave të shërbimeve të hartojnë protokollet e mjekimit për çdo sëmundje, pasi kjo do të ndihmojë në përcaktimin e kostos që duhet të përballojë çdo shërbim.
KoncesioniNë projektet afatmesme dhe afatgjata është menduar se pjesë e koncesionit është mirë të jenë shërbimet diagnostikuese, si në rastin e aparaturave. Kjo do të thotë që një pajisje e shtrenjtë, që shpeshherë “lodhet” së punuari për shkak të defekteve apo nevojës për servise dhe remonte do t’i bëhen të gjitha shërbimet. Por në rastin e koncesionit, për të do të kujdeset firma që do t’i jepet në ngarkim jo mjeku, përgjegjësi i saj, apo e gjithë administrata. Deri tani të gjitha këto hallka kanë pasur përgjegjësi për të restauruar, për të blerë apo për të pajisur me gjithçka të nevojshme për funksionim, pajisjet diagnostikuese të spitalit. Sipas drejtuesve të qendrës spitalore, ajo që ka vuajtur shërbimi spitalor deri më sot është mbajtja e sektorëve të ekzaminimit, gjithmonë e më tepër rritja e funksioneve, ka sjellë si domosdoshmëri të kohës shitjen e këtyre shërbimeve. Prapa kësaj qëndron një arsyetim shumë i shëndoshë ekonomik, sepse drejtuesit e spitaleve, si dhe drejtuesit e shërbimeve mjekësore do të kenë mundësi të përqendrojnë një pjesë shumë të mirë të vëmendjes dhe energjive të tyre në proceset që u takojnë. “Kjo do të thotë menaxhimi më i mirë, më shumë punë, rregull, cilësi e shërbimit spitalor duke mos u rënduar me ngarkesën e aparaturave dhe gjërave që nuk u takojnë specialistëve”, sqaroi drejtori i QSUT-së, Dashi.
#