E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, arrestohet vrasësi i biznesmenit shqiptar

 

DANBURY - Prokuroria e Bedfordit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zbardh vrasjen e biznesmenit me origjinë shqiptare Zef Vulaj. Mediat amerikane pohuan dje se për krimin e ndodhur në 2004-ën është akuzuar shqiptari 32-vjeçar Marash Gjocaj, i cili dyshohet të jetë autori i vrasjes së Zef Vujeviç, që njihej dhe si Zef Vulaj. Gjocaj pas prangosjes është dërguar në një burg në Konektikat, ku dhe do të presë të nisë gjykimi ndaj tij. Gjocaj akuzohet se është autori i vrasjes së dajës së tij, Vulaj, me të cilin ishin partnerë biznesi dhe drejtonin një lokal në rrugën kryesore të Danburit. Trupi i shqiptarit Zef Vulaj, i njohur dhe si Xho Vuli, u gjet i copëtuar në disa pjesë më 24 prill të 2004-ës gjatë një aksioni pastrimi nga vullnetarë me rastin e ditës së Tokës. Në kohën e vrasjes 32-vjeçari Marash Gjocaj jetonte në banesën e dajës së tij, Zef Vulaj. Vulevic së bashku me anëtarë të familjes së tij kishin në pronësi disa restorante në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trupi i Vulajt u gjet i copëtuar dhe i futur në qese plastike në një rrugë pranë qytetit. Sipas burimeve policore, Zef Vulaj, i thirrur Xho Vuli, ose Vujeviç, me origjinë shqiptare nga Ulqini i Malit të Zi, ishte zhdukur më 5 prill 2004 teksa kishte dalë në orën 01:00 pas mesnate nga njëri prej restoranteve të tij “Gusto Restorante”, ku përgatiteshin gjellë italiane. Zhdukja e tij bëri që policia të fillonte hetimin pesë ditë më vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›