Kapet në Tiranë shpërndarësi i hashashit që vinte nga Lazarati
TIRANE - Ish-oficeri i ushtrisë kapet me 2.5 kg drogë. Fillimisht atij i janë kapur 10 qese gjatë momentit të shitjes, ndërsa më pas policia bllokoi në banesën e të arrestuarit 2.5 kg marijuanë. Lime Harizi, 40 vjeç, banues në Tiranë në rrugën e teleferikut, është arrestuar nga antidroga e kryeqytetit mbrëmjen e të martës me akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Dyshohet se lënda narkotike vinte nga Lazarati i Gjirokastrës, ndërsa vetë i arrestuari ka pohuar se e ka blerë sasinë e mallit që i ishte bllokuar kundrejt një shume prej 40 mijë lekë të reja për kile. Operacioni mësohet se ka nisur të martën në mbrëmje rreth orës 19:30, në zonën e Kinostudios, në një nga kthinat e brendshme të zonës së ish-industrisë së filmit në Shqipëri. Agjentët e policisë i kanë bllokuar rrugën Harizit, ndërsa ai sapo kishte shitur një qese të vogël kundrejt shumës prej 500 lekësh një klienti. Gjatë kontrollit, policia i ka gjetur atij një sasi prej rreth 10 qesesh me hashash, vlera e të cilave arrinte në 5 mijë lekë të reja. Menjëherë pas kapjes së tij në flagrancë, blutë kanë mbërritur në banesën e tij në rrugën e teleferikut. Gjatë kontrollit të kryer, policia ka mundur të gjejë fillimisht 40 qese të përgatitura për shitje si dhe më pas një thes me 2.3 kg hashash, që në pak kohë mund të përgatitej për shitje. Të gjitha ato janë marrë nga policia në cilësinë e provave materiale, ndërsa ish-ushtarakut i është komunikuar akuza e shitjes së lëndëve narkotike. Ai ka pohuar para hetuesve se nuk dinte se nga vinte droga, por se disa njerëz ia sillnin në shtëpi me furgon natën dhe ai iu jepte lekët. Policia dyshon se malli ka mbërritur nga Lazarati për shkak të origjinës së Harizit nga Tepelena, ndërsa po heton origjinën dhe trafikantin e mundshëm të mallit. d.b