Shkrirja shpirtërore e shqiptarëve në një të vetme
Ekspozitë e artistëve podujevas në Muzeun Historik Kombëtar
Milot Mustafa, skulptor, Arafat Hasani dhe Faton Aliu, piktorë, kanë hapur në Tiranë ekspozitën e tyre të përbashkët. Ajo u përurua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të hënën, më 28 të këtij muaji, dhe do të presë vizitorë deri në datën 3 të muajit të ardhshëm. Që të tre bashkëmoshatarë, lindur në vitet ’80 të shekullit të kaluar, që të tre nga e njëjta trevë etnike shqiptare, vijnë në Kryeqytetin e Shqipërisë, pas një përvoje dhjetëvjeçare (2000-2010) të më shumë se njëzet ekspozitave, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve që nga Podujeva, në Ferizaj, Suharekë, Prishtinë etj; që nga Kryeqyteti i Kosovës së Pavarur, në Mbretërinë e Bashkuar, dhe tashti, së fundi, prej ishujve britanikë në zemrën Kombit, në Tiranë.
është me të vërtet mbresëlënëse për artdashësi tiranas të njihet me veprat e të rinjve podujevas, përmbledhur nën titullin e përbashkët: “Ec, e ec, e ec...!”
Vizitori i vëmendshëm përthithet nga tematika e ekspozitës, çka është kategoria filozofike e lëvizjes, qysh me vështrimin e parë. Skulpturat e Milotit flasin gjallërisht me plastikën e tyre sa të perceptueshme lehtësisht, aq edhe elegante në vetvete. Hap pas hapi, përmes gjuhës së formave të copëzuara, të lojës me ngjyrat, të dritëhijeve, të siluetave që herë afrohen e herë largohen, njeriu e ndien veten në lëvizje të përjetshme. Ai rrëshqet papandehur nga bota reale, në një tjetër, sureale, të imagjinuar. Rrekjet e Faton Aliut në kërkim të një planeti tjetër me forma më të thekura dhe me ngjyra më pikante, pleksen me siluetat e Arafat Hasanit, i cili, më i drejtpërdrejtë në perceptimin artistik të botës që na rrethon, na e mbyll ciklin e lëvizjes, duke na rikthyer në realitetin e ditës, falë aftësisë së tij për të përjetuar me dendësi të djeshmen, të sotmen dhe të pritshmen.
Mes traditës dhe novatores, tema e veprave të tyre të fut në botën e artit me gjithë gëzimet dhe shqetësimet që po përjetojnë shqiptarët në këtë fillim shekulli ogurbardhë. Qoftë në gdhendjet e Milotit, qoftë në dritë-hijet e Arafatit, qoftë në shpërthimet e peizazheve të Fatonit, mbresat që merr vizitori, janë herë të qeta e paqësore, herë të përthyeshme e shqetësuese, ashtu si lakorja e jetës shqiptare gjatë viteve të fundit.
***
Filizat e rinj të artit shqiptar duhen kultivuar me kujdesin e bujkut nikoqir për bimën e vet, që nesër, kur bima të lëshojë kokrra, ato të jenë tërë shije e lëng jetësor. Përndryshe...
E papranueshme indiferenca e organeve përkatëse për këtë eveniment të artit në Kryeqytet. Asnjë përfaqësues i tyre, përpos familjarëve të artistëve të rinj dhe një numri barabar me gishtat e dorës nga metropoli i Kombit. Edhe këta, falë njohjes sime me piktorin e talentuar nga Gjilani, Jeton Muja, me të cilin kam pasur rastin e lumtur të njihem në Mobëzhë, në veri të Francës, në një ekspozitë të përbashkët të piktorëve shqiptarë dhe francezë. Qoftë unë që pata detyrimin moral të jem i pranishëm në përurimin e ekspozitës, falë ftesës së mikut tim gjilanas; qoftë ata pak të tjerë, përzier me familjarë të artistëve, nuk e përfaqësonim kurrsesi masën disa mijëshe të artdashësve tiranas të pikturës e të skulpturës. Nuk di kush duhet të merrej me organizimin dhe me propagandimin e evenimentit. Po kush do ta propagandonte, në mos Galeria e Arteve Figurative, në mos drejtoria përkatëse në Ministrinë e Kulturës, në mos vetë shoqatat e artistëve?
Nuk shtrohet problemi këtu, siç do të shtrohej po të hapte ekspozitë një artist tiranas, durrsak, korçar a shkodran. Djemtë podujevas kanë ardhur të demonstrojnë artin e tyre nga treva që kanë lënguar dekada të tëra nën thundrën e të huajit. Kjo është tepër domethënëse, aq më tepër që ata nuk janë amatorë, por profesionistë të diplomuar dhe me tituj masteri në fushën e artit grafik, janë artistë që dinë çka bëjnë në rrugëtimin e tyre artistik. Jo se po nënvleftësoj artistët e rinj që punojnë e gjallojnë brendapërbrenda kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Edhe ata meritojnë vëmendjen e të njëjtave organe, si edhe të artdashësve. Por shqetësimet e artistëve të rinj podujevas, shprehur me gjuhën e pikturës a të skulpturës, kanë tjetër brendi, shumë më kuptimplote nga çka do të mendohej përmes sitës së indiferentizmit.
Nëse sot ekziston rruga që lidh fizikisht dy pjesë të Kombit tonë, të veçuara në mënyrë artificiale, arti shqiptar, i frymëzuar nga gurra e pashtershme e traditës sonë të përbashkët, nga shqetësimet dhe pikësynimet tona të përbashkëta, do të ishte mënyra më e efektshme për shkrirjen shpirtërore të shqiptarëve në një të vetme. Dhëntë Zoti që ata, të cilët i drejtojnë këto punë, ta kuptojnë një orë e më parë të vërtetën që historia na e ka dhuruar si kurrë ndonjëherë në të kaluarën.