Intervista/Abramoviç: Kosova të jetë e përgatitur për negociata të mundshme politike me Serbinë
Ambasadori Morton Abramovic, ekspert në Fondacionin Century thotë se një nga skenaret me të cilat mund të përballet Kosova, mund të jenë negociatat politike të propozuara nga serbët me mundësinë e diskutimit të fatit të rajoneve serbe të veriut
Zëri i Amerikës: Ambasador Abramowitz, muajin e ardhshëm Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të publikojë opinionin e saj mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Si mendoni se do të ndikojë ky opinion në pozitën e Kosovës në botë, si edhe qëndrimin e vendeve të tjera ndaj Kosovës?
Amb. Morton Abramovic: Cilido qoftë vendimi, do të ketë ndikim. Ne nuk e dimë se cili do të jetë ky vendim, por nëse është në favor të Kosovës do të sillte si rezultat shumë më tepër njohje, gjë që do të ishte shumë pozitive. Megjithatë kjo nuk do të thotë se patjetër do të zgjidhje problemin e hyrjes së Kosovës në Kombet e Bashkuara për shkak të vetos ruse. Nëse Gjykata vendos në favor të Serbisë, nuk besoj se do të ketë ndonjë ndikim tek pavarësia e Kosovës. Mund të humbë njohjen nga një ose dy vende ...Nëse opionini që nxjerr Gjykata krijon një situatë pak a shumë të pandryshuar, do të ishte një humbje për Serbinë dhe kur Serbia ta pranojë që situata mbetet e pandryshuar, do të thotë që vende të tjera do ta njohin Kosovën me një ritëm edhe më të shpejtë. Dhe një gjë e tillë unë besoj se do të sillte si rezultat një rishqyrtim të politikës serbe ndaj Kosovës dhe është kjo pjesë e problemit që është një vendim që duket se nuk shprehet në mbështetje të asnjërës palë që lejon mundësinë e negociatave të reja. Unë besoj se nëse vendimi i gjykatës është i tillë, Serbia do të kërkojë negociata të reja me Kosovën. Nuk do të bëhet fjalë për negociata teknike siç po flitet për pasaporta dhe dogana, por do të jenë në fund të fundit negociata për katër distriktet e veriut të Kosovës. Të paktën kështu mendoj unë. Një gjë që e dëgjova shpesh gjatë vizitës sime dyditore në Beograd, para dy javësh ishte e para që Serbia nuk do ta njohte Kosovën, çfarëdo marrëveshjeje të bëhej, por nga ana tjetër Serbia nuk mund ta lërë Kosovën me duar bosh. Mund të bëhet fjalë për një pozicion negociatash, është një qëndrim i vështirë, por dëgjova shumë të flitej për këtë në atë kohë të shkurtër që isha në Serbi.
Pyetja ime pasuese është pikërisht për këto çështje teknike...
çështjet teknike janë të dobishme, janë të rëndësishme për njerëzit sepse prekin jetën e përditshme të njerëzve, por nuk zgjidhin çështjen më të gjerë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Pyetja që shtrohet është a do të ketë negociata më thelbësore dhe kjo është ende e paqartë. Unë po them që parashikoj – dhe mund ta kem edhe gabim – që Serbia do të kërkojë negociata më serioze për distriktet veriore që janë pothuajse plotësisht të banuara dhe të kontrolluara nga serbët. Ata e quajnë një rregullim territori. Tani çdo gjë varet nga opinioni i Gjykatës, por mendoj se Serbia po mendon se çfarë të bëjë pas këtij opinioni. Mendimi im është që edhe qeveria e Kosovës po bën të njëjtën gjë. Unë shpresoj që edhe qeveritë perëndimore, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të jenë duke analizuar situatën dhe mënyrën sesi do të reagojnë me llojin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do të ketë asnjë ndikim në qëndrimin politik të Uashingtonit, pasi ky qëndrim është shprehur me mbështetjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës...
Nuk do të ndryshojë gjë në qëndrimin e vendeve që e kanë njohur pavarësinë – megjithëse disa prej tyre mund të ndryshojnë mendje. Kosova mbetet një vend i pavarur me një bazë të gjerë mbështetjeje nga Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh të tjera. Por një gjë e tillë nuk e mbyll çështjen. Unë parashikoj që nga ana e Serbisë të ketë një interes për të filluar negociata të tjera mbi natyrën thelbësore të marrëdhënieve. Mendoj se do të jetë shumë e vështirë në të ardhmen e afërt . Por nëse ata fillojnë të diskutojnë për ato distrikte në veri të Kosovës, do të ngriheshin çështje të ndryshme dhe shumë të rëndësishme për atë që do të ndodhë mes Serbisë dhe Kosovës. Mund edhe të mos ndodhë gjë dhe mund të krijohet ajo që zyrtarët serbë e quajnë konflikt të ngrirë, një marrëdhënie e papërcaktuar mes Serbisë dhe Kosovës. Por Serbisë nuk do t’i pëlqente edhe aq shumë një gjë e tillë, sepse moszgjidhja e marrëdhënies me Kosovën, e bën të vështirë për ta që të vazhdojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pra unë mendoj se pas opinionit, do të ketë një prirje të Serbisë që të diskutojë për të ardhmen afatgjhatë dhe jo thjesht, detyrat e doganës, pasaportat apo patentat.
është e qartë që Serbia do ta preferonte ndarjen e Kosovës, por a mendoni se një tezë e tillë ka në realitet shans për sukses, duke pasur parasysh se kjo nuk është vetëm në dorën e Serbisë. Pra ndërsa si alternativë mund të jetë në tryezë, por a ka shans që të konsiderohet?
Unë personalisht shpresoj që jo. Mendoj që hapja e një diskutimi të tillë do të ishte shumë i rrezikshëm për gjithë rajonin. Nga ana tjetër ka vende që janë në favor të ndarjes dhe në fund të fundit shumica e banorëve të atyre distrikteve janë serbë dhe ata asnjëherë nuk janë qeverisur nga Kosova. Perëndimi që nga viti 1999 kur morën kontrollin, nuk ka bërë asgjë për ta integruar atë pjesë nën qeverisjen e Kosovës. Pra serbët do ta paraqesin argumentin që ka një bazë të fortë për ndryshimin e kufijve. Sigurisht që një gjë e tillë do të hapte diskutime të tjera. Për shembull ideja që Lugina e Preshevës që bashkohet me Kosovën. Por unë nuk po them që kjo do të ndodhë. Po them që vendimi i Gjykatës, në varësi të natyrës që do të ketë, hap çështje më të mëdha sesa ato të patentave për makina. Unë po them vetëm që Perëndimi dhe qeveria e Kosovës duhet të jenë të përgatitur për reagimin ndaj një mundësie të tillë...
Marrë me shkurtime nga VOA