SHBA arreston dhëndërin e Osama bin Ladenit

Dhëndri i Osama Bin Ladenit, një ish zëdhënës i al-Kaidës, është kapur nga Shtetet e Bashkuara dhe është sjellë në Nju Jork ku edhe do të gjykohet. Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se, Sulaiman Abu Ghaith do të dalë në gjyq sot nën akuzat për konspiracion për të vrarë qytetarë amerikanë.
Kongresisti republikan nga Nju Jorku, Peter King, vlerësoi agjentët e CIAs dhe FBIsë për kapjen Abu Ghaith-it kohët e fundit në Jordani. Një gazetë turke njoftoi se, Abu Gaith u kap në një hotel luksoz në Ankara. Burimet thanë se, ai u deportua më pas në Jordani, ku agjentë amerikanë të zbulimit e morën nën vëzhgim, raporton noa.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder, sqaroi se arrestimi i Abu Ghaith-it tregon se, Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të nxjerrin para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës për sulmet në Nju Jork dhe Uashington më 11 shtator 2001./Indeksonline/