SHBA, bie shkalla e papunësisë

Departamenti amerikan i Punës ka njoftuar se në muajin dhjetor të vitit të kaluar shkalla e papunësisë në SHBA ka rënë në 9.4 për qind, që është niveli më i ulët në një vit e gjysmë.
Në një raport të publikuar të premten nga ana e këtij departamenti thuhet se janë krijuar 103 mijë vende të reja pune në dhjetor, shifër kjo megjithatë më e ulët se sa që kishin pritur analistët.
Rënia e papunësisë erdhi pjesërisht për shkak se disa njerëz gjetën punë dhe të tjerët u dekurajuan që të kërkonin punë.
Zyrtarët amerikanë nuk llogarisin njerëzit si të papunë nëse nuk kërkojnë aktivisht që të punësohen.
Raporti i papunësisë është i fundit që tregon se ekonomia amerikane po rimëkëmbet nga recesioni më i rëndë në dekada, por me ritëm më të ngadalësuar.
Kreu i Bankës qendrore amerikane Ben Bernanke ka thënë se pas dy vjetësh shkalla e papunësisë në vend do të jetë 8 për qind. Sipas tij, nevojitet edhe katër deri në pesë vjet për të normalizuar papunësinë.