Gripi i derrave mund të përhapet

Zyrtarë evropianë nga sektori i shëndetësisë kanë tërhequr se epidemia e gripit të derrave që ka nisur të përhapet në Angli së shpejti do të mund të përhapej në gjithë kontinentin e vjetër.
Drejtori për koordinim për epideminë e gripit nga qendra evropiane për preventiva dhe kontroll të sëmundjeve, Angus Nikol, ka thënë se “ajo që paraqitet në Evropën Perëndimore zakonisht lëviz drejt lindjes”.
“Është shumë e besueshme që virusi i gripit të derrave nga Britania të përhapet në pjesën tjetër të Evropës”, ka thënë Nikol.
Sezoni i gripit këtë vit ka kapluar Britaninë e Madhe, me ç’rast numri i të infektuarve është rritur dukshëm muajin e kaluar, ndërsa tash pothuajse ky numër është dyfishuar. Numri më i madh i të sëmurëve është infektuar me virusin e gripit të derrave, i cili ishte përgjegjës për pandeminë e vitit 2009.
Nikol ka theksuar se vendi me shkallë të lartë të vaksinimit kundër gripit, sikurse janë Finlanda, Norvegjia dhe Suedia me siguri do të shpëtojnë nga epidemia, por ka paralajmëruar se vendet e tjera, përfshirë Francën dhe Gjermaninë do të duhej të përshpejtojnë zbatimin e programit të vaksinimit dhe madje edhe të përgatisin spitalet në rast “vërshimi” nga pacientët.
Gripi i derrave është sëmundje e organeve të frymëmarrjes të derrave e shkaktuar nga virusi i tipit A. Njerëzit, zakonisht nuk sëmurën nga gripi i derrave, por infeksioni ndër njerëz mund të ndodhë.
Aktualisht tek njerëzit është raportuar infeksioni me virusin e gripit të derrave, tipi H1N1. Simptomat e gripit të derrave janë të njëjta me ato të gripit të zakonshëm: temperaturë, kollë, dhembje fyti, dhembje trupi, dhembje koke dhe plogështi. Në disa raste mund të paraqitet edhe vjellja dhe diarreja. Komplikim më i shpeshtë i sëmundjes është pneumonia.
Virusi i gripit të derrave përhapet në të njëjtën mënyrë si gripi i zakonshëm (sezonal). Virusi përhapet nëpërmjet ajrit nga një person në tjetrin gjatë kollitjes dhe teshtitjes së personave të sëmurë me grip.
Personi i infektuar me virusin e gripit të derrave përhap sëmundjen te personat e tjerë një ditë para se të shfaqen shenjat e sëmundjes dhe shtatë ditë pasi të jenë shfaqur shenjat e sëmundjes.