SHBA dënon incidentet në veri të Kosovës: Të shmangen provokimet që tensionojnë situatën

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar incidentet e dhunshme të ditëve të fundit në veri të Kosovës. Kjo u bë e ditur nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për shërbimin serb të Zërit të Amerikës.
Komentet e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit pasojnë incidentet e dhunshme në veri të Kosovës, ku dy ditë më parë një polic u plagos lehtë gjatë një sulmi me armë.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën me afrimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat në veri të vendit.
Gjatë javës grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të komisioneve komunale të zgjedhjeve, ndërsa policia njoftoi për të shtëna e shpërthime, por pa dëme në njerëz.
“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”,- tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se: “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet.”
Rritja e tensioneve në veri të Kosovës ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve më 18 dhjetor. Autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së tyre, gjë që është kërkuar edhe nga diplomatët perëndimorë.
Zgjedhjet u shpallën pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Procesi zgjedhor po bojkotohet nga Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe.