E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA dhe BE përshëndesin zgjedhjet e suksesshme

Shtetet e Bashkuara kanë lavdëruar menaxhimin e zgjedhjeve të para që prej pavarësisë, duke i cilësuar ato gurthemel të rëndësishëm në rrugën e demokracisë.

Edhe Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian e ka përshëndetur "rrjedhën e rregullt" të zgjedhjeve të para në Kosovën e pavarur, duke e theksuar pjesëmarrjen e gjerë të pakicave etnike.

Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Qeverinë e Kosovës për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve të para nga pavarësia, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ian Kelly.

Urojmë qytetarët nga radhët e të gjitha komuniteteve etnike, duke përfshirë edhe komunat e reja me shumicë serbe, për pjesëmarrjen e tyre të konsiderueshme në këto votime, ka thënë Kelly.

Këto zgjedhje paraqesin gurthemel të rëndësishëm për Kosovën në ndërtimin e shoqërisë multietnike dhe demokratike për të gjithë qytetarët e saj, ka pohuar zëdhënësi Kelly.

Kurse në komunikatën e Bashkimit Evropian përshëndetet sidomos pjesëmarrja e gjerë të pakicave etnike. Fakti që grupet etnike dolën në votime ishte shprehje e përkushtimit të votuesve për konsolidimin e mëtejmë të shoqërisë demokratike dhe shumetnike në Kosovë", thuhet në deklaratën e presidencës suedeze të radhës.

Kryesuesja së BE-së më tej shfaq shpresën se edhe rrethi i dytë i votimit në 13 dhjetor do të kalojë qetë ashtu si i pari, ndërsa për organizmat vëzhgues porositet që "t'u ofrohen të gjitha resurset dhe mbështetja e nevojshme".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›