E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Të dielën ndodhi mrekullia

Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar procesin zgjedhor të së dielës si një mrekulli që ka ndodhur në Kosovë. Ai ka uruar të gjithë kandidatët dhe partitë politike për suksesin e arritur në këto zgjedhje, ndërsa ka shprehur mbështetjen e tij dhe të Qeverisë për të gjithë kryetarët e rinj.

Kreu i ekzekutivit të vendit i ka bërë këto komente sot në mbledhjen e Qeverisë, në të cilën nuk ka pasur ndonjë rend dite, përveç fjalimit të kryeministrit. Duke e vlerësuar procesin zgjedhor si një sukses tjetër të Kosovës, Thaçi ka thënë se kjo është meritë e institucioneve qendrore dhe lokale dhe kulturës së lartë demokratike të qytetarëve të Kosovës.

Kosova të dielën e bëri një mrekulli të pritur. Edhe konkludimi ndërkombëtar se në Kosovë po ndërtohet dhe po lulëzon demokracia, është mesazhi më i mirë i mundshëm për pranimin e suksesit dhe përshëndetjen e suksesit në Republikën e Kosovës. Është një njohje e re për sukseset e mëdha, për shtetin e ri të Kosovës dhe shoqërinë kosovare për institucionet dhe liderët kosovarë, ka thënë Thaçi, transmeton KosovaPress.

Kryeministri Thaçi ka përsëritur se këto zgjedhje ishin referendum i qeverisjes së mirë në Kosovë gjatë këtyre dy vjetëve.

Thaçi ka falënderuar partitë politike dhe kandidatët e pavarur për pjesëmarrje dhe angazhim serioz në procesin zgjedhor, ndërkaq ka shfaqur besimin se edhe rezultatet e kandidatëve për asambletë komunale dhe numërimi i votave me kusht do të përmbyllet suksesshëm dhe në kohën sa më të shpejtë.

Në këtë mbledhje të kabinetit, Thaçi ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, për kryerjen e të gjitha obligimeve tani pak kohë para përballjes së Kosovës me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Qeveria edhe në këtë fazë, kur së shpejti do të fillojë procesi i Gjykatës Ndërkombëtare, do të vazhdojë të kryejë me përgjegjësinë më të lartë të gjitha obligimet shtetërore me bindje të plotë se opinioni që do të prezantohet nga ministri Hyseni për shpalljen legjitime të Republikës së Kosovës, do ta fitojë opinionin meritor që është në përputhshmëri të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe me njohjet që kanë ardhur, e që do të vijnë edhe në të ardhmen e afërt veçanërisht pas suksesit historik në zgjedhjet lokale, ka thënë Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›