SHBA dhe Europa, me interesa të përbashkët ekonomikë
Duket se kriza nga tregjet financiare ka zbritur ngadalë por realisht në ekonominë reale. Natyrisht kjo gjë dihej edhe më përpara por ka shumë analistë të cilët notojnë në ujërat e pesimizmit sipas të cilëve ekonomia europiane është akoma në krizë. Këta analistë marrin në konsideratë edhe fjalët e Mario Dragit, presidentit të Bankës Qëndrore Europiane i cili ka folur disa ditë më pare për ekonominë europiane. Në të vërtetë fjalët e Mario Dragit kanë qenë gjithmonë fjalë të matura dhe të peshuara mirë të cilat shpesh kanë sjellë një lloj optimizmi për tregjet. Këta analistë marrin shkas edhe nga të dhënat e Komisionit Europian sipas të cilave rritja për vitin e ardhshëm (2013) do të jetë vetëm me 0,1%, duke shtuar më tej se ka rrezik që kriza mund të shtrihet edhe në një vend si Gjermania. Ndërkaq – gjithmonë sipas tyre - për vende te tjera mund të shkojë edhe më keq. Të dhënat e Istat Italia flasin qartë për gjendjen në vendin fqinj të Italisë edhe pse për energjitikën shifrat nuk janë aspak negative. A është e vërtetë që Europa është në rënie sidomos në vendet anëtare të Bashkimit Europian? Natyrisht në këtë situatë ndërhyrja europiane duhet të jetë e shpejtë duke synuar më tepër në stabilizimin fiskal të saj dhe fill pas saj ndoshta mund të shikohet edhe fundi i tynelit të krizës. Por ekonomia globale në tërësi nuk është në një krizë të thellë. Është folur dhe më parë se edhe në një shtet si Kina ka patur probleme, por tashmë pas dy vjetësh, shifrat flasin për një rritje prej 8%. Në muajin tetor prodhimi industrial është rritur me 9,6% krahasuar me vitin e kaluar. Natyrisht rritja e Kinës dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sjell optimizëm për ekonominë e Europës. Këto lajme janë të një rëndësie të veçantë sepse pasiguritë ekonomike dhe ato politike ndikojnë tek operatorët e tregjeve duke ngjallur në ta një lloj frike duke i shndërruar në të njëjtën kohë edhe në shumë të matur. Një çështje më vete në këtë klimë luajnë edhe zgjedhjet në vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Po nëse në Kinë dhe në SHBA tashmë është gjithçka e qartë për Europën nuk është ende kështu. Zgjedhjet në Gjermani dhe Itali kanë ngritur shumë dyshime për vazhdimin ose jo të reformave në sistemin e llogarisë publike. Këto pasiguri mbajnë larg investimet e kolosëve drejt Europës Jugore duke vështirësuar në këtë mënyrë rinisjen e rritjes ekonomike. Duhet pra ky qarkullim kapitalesh si një përbërës i domosdoshëm për tregjet financiare europiane. Duhet padyshim edhe bashkimi bankar i Europës dhe duhet parë se çfarë roli mund të ketë European Stability Mechanism. Natyirisht në këtë situatë edhe Europa që do të dalë pas zgjedhjeve ka nevojë për koalicione politike që garantojnë politikat e stabilizimit të llogarive publike. Natyrisht tashmë e gjithë vëmëndja është përqëndruar tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pritet me interes dhe duhet një marrëveshje mes Obamës dhe Kongresit për llogaritë publike amerikane dhe kjo do të ishte thelbësore për të qartësuar politikën amerikane. Duhet pra një rinisje e tregjeve, duhet një aksion kolektiv, për një interes të përbashkët si në Europë por edhe në vendet e tjera jo europiane. Natyrisht në këtë situatë janë parë si problem edhe nëpunësit e administratës publike. Një problem i kahershëm për vendet anëtare të Bashkimi Europian. Në këto vende punonjësit e administratës janë konsideruar gjithmonë si të shumtë në numër dhe me një kosto të lartë. Sipas të dhënave, në 27 vendet e Bashkimit Europian shpenzimet publike janë sa 49% e Gdp e të gjithë zonës. Natyrisht këto kohë janë marrë masa për shkurtimin e disa prej vendeve të punës. Nga ana tjetër në vendet e Bashkimit Europian ka patur ulje pagash dhe shkurtime për ministritë dhe personelin. Kjo ka ndodhur më së shumti në vendin fqinj të Greqisë por edhe në vendet e tjera të prekura nga kriza. Në Britaninë e Madhe, dy vjet më parë, brenda një pakete parashikohej edhe reduktimi i administratës publike me rreth 490 mijë punonjës. Por edhe në vendin fqinj të Greqisë ku po bëhen shkurtime të këtij lloji. Ndër masat e shumta ka patur një reduktim prej 6,3 miliardë euro për shpenzimet dhe rrogat për të vazhduar me pensionet. Nga ana tjetër janë ulur rrogat e pothuaj 2 mijë punonjësve dhe priten që të shkurtohen edhe për 6.300 të tjerë. Në Francë, në ndërhyrjen e parë të presidentit Holande, e cila arrinte në shifrën e 37 miliardëve parashikoheshin plot 10 miliardë të shkurtimeve të shpenzimeve publike. Po kështu edhe në Portugali dhe në Spanjë ku ka patur reduktim të buxhetit të ministrive për të tretin vit radhazi.
...