Berisha: Oferta për Fierin, kushtetuese dhe ligjore - PS të votojë ligjet e integrimit

Kryeministri Sali Berisha ripërsëriti dje në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ofertën e mazhorancës për çështjen e kryetarit të qarkut të Fierit. Për shefin e ekzekutivit, propozimi i shumicës parlamentare është kushtetues dhe në përputhje me ligjet e vendit. Kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës të votojë ligjet e integrimit në mënyrë që Shqipëria të përfitojë statusin e kandidatit në 100 vjetorin e Pavarësisë
Për të disatën herë, kryeministri Sali Berisha fton Partinë Socialiste dhe lidershipin e saj, Edi Rama për të votuar ligjet e integrimit, si një kërkesë e Komisionit Evropian në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në 3 dhjetor. Nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se mos votimi i ligjeve, është mesazhi më negativ që Shqipëria i përcjell kancelarive perëndimore. “Kjo javë është një javë e veçantë dhe sado që ka qenë një çështje debati të përditshëm, sërish mendoj se sot dhe çdo ditë tjetër, nuk mund të ketë kryefjalë tjetër dhe çështje më të rëndësishme, sesa votimi i tre ligjeve nga parlamenti shqiptar, një kërkesë kjo, e qartë, e prerë, e Komisionit Evropian, për të bërë raportin shtesë për vendet anëtare, në mënyrë që të votojnë më datën 3 dhjetor të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Edhe njëherë, dua të shfrytëzoj këtë rast dhe t’i adresoj zotit Rama thirrjen e ftesën time, t’i votojmë këto ligje, sepse asnjë shqiptar dhe asnjë mik i këtij vendi nuk mund të mirëkuptojë mosvotimin dhe bllokimin e tyre në parlament. Përkundrazi, mesazhi që përcjell ky bllokim është mesazhi më negativ për vendin. Zonja Bregu ishte në Bruksel dhe një nga parlamentarët e Komisionit për Ballkanin Perëndimor kishte deklaruara se kjo që ndodh me ju, nuk ndodh me asnjë vend tjetër dhe se nuk ka ndodhur ndonjëherë me asnjë nga vendet e rajonit. Zotëria kishte folur edhe me disa nota përçmuese, por e vërteta është se kjo që ndodh me ne, nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër. Sado që ta analizojmë, nuk ka pasur forcë politike që të imagjinojë të bllokojë votimin e ligjeve që kërkohen për procesin e integrimit”- u shpreh Beisha. Kryeministri theksoi se oferta që i ka bërë Ramës është dinjitoze, kushtetuese dhe ligjore, ndërsa kundërshtimi i tij është dëshmi e vullnetit për të mos votuar ligjet. “Oferta, që unë kam bërë si rrugëzgjidhje për qarkun e Fierit, është oferta më dinjitoze, më kushtetuese dhe më ligjore që mund t’i ofrohet zotit Rama dhe zotit Ruçi, i cili, mesa duket, qëndron me të drejtë vetoje në këtë çështje dhe cilido tjetër. Unë, ofertën për të vënë në mocion të gjithë këshilltarët e shumicës, e bëra si një zgjidhje, si një rrugëdalje dinjitoze për këtë problem. Kundërshtimi i tij është absolutisht, dëshmi e mungesës së plotë të vullnetit për të votuar ligjet. Unë i propozova zotit Rama që të kalojnë në mocion të gjithë anëtarët e shumicës të Këshillit të Qarkut të Fierit, por, nëse ai do të dojë, edhe të pakicës, duke u nisur nga praktika të iniciuara nga Partia Socialiste në bashkitë dhe komunat e Fierit dhe konkretisht: Në datën 29.06.2012, në Komunën Dermenas, në të cilën u votëbesua Kryetari i Këshillit dhe u kërkua menjëherë të futet në rendin e ditës votëbesimi i anëtarit të qarkut nga kjo komunë. Këshilltarët e mazhorancës braktisën mbledhjen dhe çështja nuk u arrit të futej në rendin e ditës. Ajo çfarë i propozoj unë zotit Rama është që këshilltarët e mazhorancës të mos braktisin mbledhjen, por të kompletohet ajo që kanë kërkuar këshilltarët e Partisë Socialiste, për të votëbesuar anëtarët e këshillit. A ka ofertë më të ndershme se kjo?! Natyrisht, unë nuk ia siguroj dot, votat, zotit Rama. Votën nuk ia diktoj njeriu. Zoti Rama, në qoftë se në datën 29.06.2012, pas votëbesimit të Kryetarit të Këshillit, kërkove të votëbesoje përfaqësuesin në Këshillin e Qarkut, atëherë çfarë ka ndodhur tani, që ne të krijojmë këtë mundësi dhe ti nuk dëshiron? Në datën 28.08.2012, në Bashkinë Divjakë, me praninë edhe të zotit Vangjel Ndreka dhe ish kryeministri Bashkim Fino, është bërë e njëjta tentativë që ishte bërë në datën 17.02.2012, për të futur në mocion anëtarin e Këshillit të Qarkut. Përfaqësuesit e mazhorancës kanë prishur kuorumin dhe nuk është vendosur dot. Të gjitha këto janë të regjistruara, janë me procesverbal. Unë i them zotit Rama se në Divjakë dhe ne çdo njësi të qeverisjes vendore, mazhoranca është e gatshme të pranojë procesin e votëbesimit, jo me braktisje kuorumi, por me votim. Unë votën nuk mund t’ia siguroj. Në datën 26.01.2012, në Komunën Bubullimë është tentuar votëbesimi i anëtarit të Këshillit të Qarkut dhe me vendimin 25 është zgjedhur Alban Mësonjësi, përfaqësues i Partisë Socialiste. Ne si forcë politike kemi pranuar mocionin dhe nuk e kemi paditur në gjykatë”- tha ai. Shefi i qeverisë tha se mazhoranca nuk mund të shkelmojmë nene të ligjit të qeverisjes vendore dhe sipas tij kryetari socialist duhet të pranojë ofertën dhe të ngrihet mbi interesat e kryetarit të grupit socialist Gramoz Ruçi, i cili është i dërguari i selisë rozë për qarkun e Fierit. Së fundi Kryeministiri Berisha u ndal edhe tek vendimet e Gjykatës së Lartë, e cila, tha ai, ka vendosur që derisa të përcaktohet aktet në themel, të gjitha vendimet e kryetarit aktual janë të vlefshme. Kryeministri uroi që dita e enjtje, ditë kur zhvillohet edhe seanca plenare në Kuvend, të shndërrohet në një ditë ku shqiptarët marrin mesazhin e rëndësishëm. “Edhe njëherë i bej thirrje, pasi ditën e enjte është afati i fundit. Ligjet janë gati. Le të ulen sëbashku, përfaqësuesit e grupeve të komisioneve dhe në prag të këtij përvjetori të madh, por edhe në prag të një vendimi që pritet, në datën 20, nga Komisioni Europian, të përmbushim detyrimin tonë ndaj vendit. Nuk ka asgjë më të pa kuptimtë! Unë e kuptoj se zoti Rama personalizon gjërat dhe bën shumë gabim, sepse personalizimi nuk i shërben aspak. Ai beson se Shqipëria nuk duhet ta marrë statusin, sepse në këtë mënyrë fiton shumë, kryeministri dhe qeveria. Por shqiptarët, kur shohin se votojmë sëbashku, dinë ta dallojnë. Kreditet, ata ia japin të gjitha forcave politike, kapital politik fiton Shqipëria. Natyrisht fitojnë edhe ata që bëjnë detyrën e tyre. Nuk krijohet kurrë kapital politik, duke dëmtuar interesin jetik kombëtar. Nuk mund ta errësosh me asnjë lloj zhurme, dëmin e pallogaritshëm që i bën vendit, duke mos votuar tre ligjet. Le të urojme dhe shpresojmë në më të mirën”- theksoi më tej kryeministri Berisha.