SHBA dhe Rusia shkëmbejnë akuza për Sirinë

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, përsëri e ka fajësuar Rusinë për përkeqësimin e situatës në Siri, duke dërguar helikopterë ushtarakë për regjimin e Bashar al-Assadit.
Clinton po ashtu, ka shprehur zhgënjim se Rusia i ka injoruar kërkesat për suspendimin e lidhjeve ushtarake me Sirinë.
“Në mënyrë të përsëritur ne kemi kërkuar që qeveria e Rusisë t’i ndalë këto lidhje ushtarake tërësisht dhe t’i pezullojë të gjitha mbështetjet e mëtejshme dhe furnizimet”, tha ajo.
Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i ka hedhur poshtë akuzat për helikopterë, duke shpjeguar se çfarëdo dërgimi i armatimit në Siri është i ndërlidhur me kontratat e mëparshme dhe se armatimet e tilla janë vetëm për sistemet e mbrojtjes ajrore.
Shumë media kanë raportuar se Lavrovi e ka akuzuar Washingtonin për armatim të kryengritësve në Siri, por ai vetëm tha se Shtetet e Bashkuara po e furnizojnë rajonin “me mjete speciale”.
“Ne nuk po furnizojmë, as në Siri e as diku tjetër, asgjë që po shfrytëzohet për t’i luftuar protestuesit paqësorë. Për dallim nga Shtetet e Bashkuara, që furnizojnë armatime specifike te vendet e rajonit në baza të rregullta, përfshirë edhe dërgimin aktual te një vend i Gjirit Persik”, tha Lavrov.